Komuna e Skenderajt, në bashkëpunim me Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave (AME), Bankën Botërore dhe Kryqin e Kuq të Kosovës, ka realizuar ushtrimin fushor “Vërshimet 2026 – Skenderaj”, i cili u mbajt në ambientet e Shkollës Fillore “Ahmet Delia” në Skenderaj.






Ky ushtrim kishte për qëllim testimin e planeve të reagimit emergjent, vlerësimin e kapaciteteve operacionale dhe forcimin e koordinimit ndërinstitucional në rast të situatave emergjente të shkaktuara nga vërshimet.
Në ushtrim morën pjesë institucionet kryesore të reagimit emergjent, përfshirë Policinë e Kosovës, Shërbimin e Zjarrfikësve dhe Emergjencën Spitalore, të cilat demonstruan procedurat e reagimit, koordinimit dhe menaxhimit të incidenteve në kushte të simuluara.
Të pranishëm në këtë aktivitet ishin Nënkryetari i Komunës, Fadil Nura, Drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Arbër Geci, Drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Hasan Hoti si dhe zyrtarë komunalë, të cilët përcollën nga afër zhvillimin e ushtrimit dhe koordinimin ndërinstitucional.
Përmes këtij aktiviteti u testuan mekanizmat e komunikimit dhe bashkëpunimit ndërmjet institucioneve përgjegjëse, me qëllim rritjen e gatishmërisë dhe efikasitetit në menaxhimin e emergjencave civile dhe mbrojtjen e jetës dhe pronës së qytetarëve.
Komuna e Skenderajt shpreh mirënjohjen e saj për të gjitha institucionet dhe organizatat partnere që kontribuuan në organizimin dhe realizimin me sukses të këtij ushtrimi, duke dëshmuar përkushtim dhe profesionalizëm në forcimin e kapaciteteve për menaxhimin e situatave emergjente.
Ushtrime të tilla paraqesin një komponent të rëndësishëm në përgatitjen dhe avancimin e sistemeve të reagimit emergjent, duke kontribuar në rritjen e sigurisë dhe qëndrueshmërisë së komunitetit përballë rreziqeve natyrore.