Në kuadër të aktiviteteve të organizuara nën patronatin e Kryetarit të Komunës së Skenderajt, z. Sami Lushtaku, për shënimin e 250-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, u mbajt ceremonia solemne e ngritjes së flamurit amerikan te Sahat Kulla, si dhe u hap ekspozita në Sheshin “Adem Jashari”, kushtuar personaliteteve amerikane që me përkushtimin dhe mbështetjen e tyre kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë, pavarësisë dhe shtetndërtimit.
Në këto aktivitete morën pjesë nënkryetari i Komunës, z. Fadil Nura, kryesuesja e Kuvendit Komunal, znj. Adelina Spahiu-Alija, drejtorë e zyrtarë komunalë, deputetë, si dhe qytetarë të shumtë, të cilët iu bashkuan shënimit të kësaj date historike, duke dëshmuar respektin dhe mirënjohjen për miqësinë e përhershme ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.