Në Qendrën e Kulturës “Hasan Prishtina” në Skenderaj, në prezencën e Kryetarit të Komunës Sami Lushtaku, zyrtarëve komunalë dhe deputetëve të Parlamentit, u mbajt promovimi i librit “Nana Salë” të autores Bediha Emini, një vepër që sjell kujtimin dhe rrëfimin për sakrificën, qëndrueshmërinë dhe forcën e një nëne në periudhat më të vështira të jetës familjare.
Aktiviteti u hap me një fjalë rasti nga Drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport, Kosovare Ahmeti, e cila theksoi rëndësinë e promovimit të veprave që ruajnë kujtesën dhe vlerat njerëzore në komunitetin tonë.
Më pas, Arben Dashefci foli për procesin e botimit të librit dhe përkushtimin për ta sjellë këtë histori para lexuesve, duke vlerësuar mesazhin dhe domethënien që përcjell vepra.
Pas tij, me një fjalë rasti u drejtua edhe Deputetja e Parlamentit të Republikës së Kosovës, Sala Jashari, e cila vlerësoi këtë iniciativë kulturore dhe rëndësinë e ruajtjes së historive që pasqyrojnë sakrificën, forcën dhe qëndrueshmërinë e grave dhe familjeve tona ndër vite.
Në fund, autorja Bediha Emini ndau emocionet dhe motivimin që qëndron pas këtij libri, duke kujtuar figurën e “Nanës Salë”, sakrificat e saj dhe qëndrimin stoik gjatë periudhës më të vështirë të jetës së saj me familjen.