Në kuadër të përpjekjeve për rritjen e mirëqenies sociale, Njësia për të Drejtat e Njeriut dhe Barazi Gjinore, me pjesëmarrjen e Drejtorit të Administratës në Komunën e Skenderajt, z. Shqiperim Kodra, zhvilluan një takim me përfaqësues të organizatës Handikos dhe persona me nevoja të veçanta.
Gjatë takimit, drejtori Shqiperim Kodra theksoi se administrata komunale është e hapur dhe në shërbim të plotë për të ofruar asistencë të shpejtë dhe pa barriera për personat me nevoja të veçanta. Në këtë takim u diskutua për nevojën e eliminimit të barrierave fizike në objektet publike, me qëllim që çdo shërbim administrativ të jetë i qasshëm për të gjithë qytetarët.
Përfaqësuesit e Njësisë për të Drejtat e Njeriut dhe Barazi Gjinore theksuan rëndësinë e trajtimit të barabartë dhe fuqizimit të grave brenda këtij komuniteti. Ndërkaq, znj. Qefsere Dautaj-Uka u shpreh se gratë me nevoja të veçanta përballen me sfida të ndryshme dhe se duhet të kenë qasje të barabartë në edukim, punësim dhe vendimmarrje.
Gjatë takimit, drejtori Kodra deklaroi se ne jemi këtu për të dëgjuar dhe për të vepruar. Administrata e Skenderajt nuk është thjesht një zyrë shërbimesh, por një partner i palëkundur i Handikos-it. Synimi ynë është që çdo person me nevoja të veçanta të ndihet i respektuar dhe i përfshirë në çdo vendimmarrje tonën.