Në një ceremoni të veçantë, u përurua Qendra e re e Mjekësisë Familjare në Skenderaj, një investim i rëndësishëm i realizuar përmes bashkëfinancimit ndërmjet Komunës së Skenderajt dhe Qatar Charity, në vlerë prej 400 mijë eurosh.
Në ceremoninë e përurimit morën pjesë Kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, Nënkryetari Fadil Nura, Kryesuesja e Kuvendit Komunal, Adelina Spahiu Alija, Drejtori i Shëndetësisë, Hasan Hoti, drejtorët e drejtorive komunale, stafi shëndetësor i QKMF-së, si dhe përfaqësues të Qatar Charity.
Qendra e re do të ofrojë kushte më të mira për pacientët dhe profesionistët shëndetësorë, duke mundësuar shërbime shëndetësore më moderne, më të afërta dhe më cilësore për qytetarët. Njëkohësisht, funksionalizimi i saj do të kontribuojë në lehtësimin e ngarkesës në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Skenderaj dhe në rritjen e efikasitetit të shërbimeve shëndetësore.
Mirënjohje e veçantë iu shpreh donatores Zainab Salim Al-Hamaida për bujarinë dhe kontributin e saj në realizimin e këtij projekti, si dhe Ahmed Al Amadi, përfaqësues i Qatar Charity, për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme.
Ky projekt dëshmon rëndësinë e bashkëpunimit dhe solidaritetit në realizimin e investimeve konkrete në shërbim të qytetarëve.
Komuna e Skenderajt do të vazhdojë angazhimin për krijimin e shërbimeve shëndetësore moderne, cilësore dhe dinjitoze për të gjithë qytetarët.