Më 21 gusht 2026, në Bashkësinë Lokale të Turiqecit është zhvilluar dëgjimi i tretë publik buxhetor, në kuadër të procesit të përgatitjes së Buxhetit të Komunës së Skenderajt për vitin 2027.
Në këtë dëgjim morën pjesë Nënkryetari i Komunës, z. Fadil Nura, Drejtori i Financave, z. Behxhet Maliqi, Drejtori i Urbanizmit, z. Arbnor Çitaku, Drejtoresha e Zhvillimit Ekonomik, znj. Besarta Meha, dhe Drejtoresha e Kulturës, znj. Kosovare Ahmeti, të cilët bashkëbiseduan me banorët e Turiqecit.
Gjatë diskutimit, qytetarët paraqitën nevojat dhe prioritetet kryesore të lokalitetit, duke vënë theksin në përmirësimin e infrastrukturës dhe shërbimeve publike. Ndër kërkesat e ngritura ishin, asfaltimi dhe rregullimi i rrugëve, përmirësimi i ndriçimit publik, menaxhimi i mbeturinave, si dhe çështje të tjera me rëndësi për jetën dhe zhvillimin e Turiqecit.
Përfaqësuesit e Komunës, gjatë bashkëbisedimit me banorët, theksuan gatishmërinë për t’i shqyrtuar ato në kuadër të planifikimit buxhetor për vitin 2027. Dëgjimi publik në Turiqecit dëshmoi edhe një herë rëndësinë e pjesëmarrjes së qytetarëve në proceset vendimmarrëse dhe në përcaktimin e prioriteteve për investimet e ardhshme, me qëllim përmirësimin e infrastrukturës dhe kushteve të jetesës për banorët e kësaj Bashkësie Lokale.