Më 21 gusht 2026, në Bashkësinë Lokale të Runikut është mbajtur dëgjimi i katërt publik buxhetor, në kuadër të përgatitjeve për Buxhetin e Komunës së Skenderajt për vitin 2027.
Në këtë takim morën pjesë Nënkryetari i Komunës, z. Fadil Nura, Drejtori i Financave, z. Behxhet Maliqi, Drejtori i Urbanizmit, z. Arbnor Çitaku, Drejtoresha e Zhvillimit Ekonomik, znj. Besarta Meha, dhe Drejtoresha e Kulturës, znj. Kosovare Ahmeti. Dëgjimi u karakterizua nga një pjesëmarrje e madhe e banorëve të Runikut, të cilët shprehën interesim të veçantë për procesin e planifikimit të investimeve dhe zhvillimit të lokalitetit.
Gjatë takimit, banorët patën mundësi të paraqesin drejtpërdrejt kërkesat, shqetësimet dhe propozimet e tyre për buxhetin e vitit të ardhshëm. Diskutimet u përqendruan kryesisht në nevojën për investime në infrastrukturë, përfshirë asfaltimin dhe rregullimin e rrugëve, zgjerimin e rrjetit të kanalizimit, ndriçimin publik, menaxhimin e mbeturinave, si dhe përmirësimin e shërbimeve të tjera publike.
Pjesëmarrja e gjerë e qytetarëve dhe diskutimi i hapur me përfaqësuesit komunalë kontribuuan në identifikimin më të qartë të nevojave dhe prioriteteve të Runikut. Përfaqësuesit e Komunës i mirëpritën kërkesat e banorëve dhe theksuan rëndësinë e këtij komunikimi në përcaktimin e investimeve që synojnë përmirësimin e kushteve të jetesës dhe zhvillimin e qëndrueshëm të lokalitetit.
Komuna e Skenderajt mbetet e përkushtuar që përmes dëgjimeve publike të krijojë hapësirë për pjesëmarrje sa më të gjerë të qytetarëve, duke i përfshirë kërkesat dhe propozimet e tyre në procesin e planifikimit buxhetor dhe në përcaktimin e prioriteteve për vitin 2027.