Me datë 20 gusht 2026, është mbajtur dëgjimi i parë publik buxhetor në Bashkësinë Lokale të Likocit, në kuadër të procesit të hartimit të Buxhetit të Komunës së Skenderajt për vitin 2027.
Në takim morën pjesë Nënkryetari i Komunës, z. Fadil Nura, Drejtori i Financave, z. Behxhet Maliqi, Drejtori i Urbanizmit, z. Arbnor Çitaku, Drejtoresha e Zhvillimit Ekonomik, znj. Besarta Meha, Drejtori i Arsimit, z. Kastriot Duraku, si dhe banorë të Likocit.
Banorët paraqitën kërkesat dhe shqetësimet e tyre për zhvillimin e lokalitetit, me theks të veçantë në ndërtimin dhe zgjerimin e rrjetit të kanalizimit, asfaltimin dhe rregullimin e rrugëve, ndriçimin publik, trajtimin e mbeturinave, si dhe çështje të tjera infrastrukturore dhe shërbime me interes për banorët.
Përfaqësuesit e Komunës së Skenderajt i dëgjuan nga afër kërkesat e qytetarëve, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe komunikimit të vazhdueshëm me banorët në përcaktimin e prioriteteve zhvillimore.
Komuna e Skenderajt mbetet e përkushtuar që procesi buxhetor të jetë gjithëpërfshirës, transparent dhe i orientuar drejt nevojave reale të qytetarëve, në mënyrë që zëri i banorëve të Likocit të reflektohet në planifikimin e investimeve publike.














