Skenderaj 5 prill – Qindra qytetarë, ish luftetarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), familjarë, përfaqësues të Famlijes Jashari, përfaqësues të pushtetit lokal në Skenderaj, organizata të dala nga lufta e UÇK-së dhe të ftuar, janë tubuar të hënën në fshatin Rezallë, për t’i përkujtuar viktimat e masakrës në këtë fshat, në të cilën 11 vjet më parë u shuan 88 jetë.
Mllefi i formacioneve paraushtarke e ushtarake serbe, ishte shfryrë mbi pleq, gra dhe fëmijë, të gjithë civilë dhe të pafajshëm, të cilët pasi ishin ndarë nga gratë, ishin pushkatuar dhe hedhur në një gropë të përbashkët.
Dëshmitarët okularë rrëfejnë sot ngjarjen e 5 prillit të vitit 1999, kur serbët kishin rrethuar tërë fshatin, qëllimi i të cilëve ishte të vrisnin dhe shkatërronin çdo gjë që u del para.
Abdyl Ymeri, zëvendëskryetar i Komunës, në tubimin përkujtimor të organizuar nga Komuna me rastin e 11 vjetorit të masakrës së Rezallës, në mes të tjerash tha: “Të gjithë ne, sidomos ju familjarë të dëshmorëve, me gjithë dhembjen që keni për të afërmit tuaj, duhet të ndiheni kurdoherë krenarë për jetën dhe veprën e tyre madhore në shërbim të atdheut” dhe ka shtuar se brengë e familjeve, por edhe e institucioneve, është që nuk dihet ende për fatin e të pagjeturve, kurse familjet e personave të zhdukur, edhe 11 vjet pas mbarimit të luftës, jetojnë me ankthin për fatin e njerëzve të tyre.
“Kjo është një pyetje që mban në ankth familjet e tyre, por njëkohësisht është pyetje që duhet të ngacmojë ndërgjegjen e njerëzimit e sidomos të atyre që kërkojnë t’i falim vrasësit e t’i harrojmë krimet. Nëse një gjë e tillë ndodhë, pra nëse nderojmë gjakun e derdhur dhe nëse harrojmë krimet, ka rrezik të përseritën”, ka theksuar nënkryetari i Skenderajt, i cili kërkoi që të zgjidhet kjo enigmë dhe të dihet për fatin e të pagjeturve. Sipas tij, Komuna e Skenderajt ka hartuar një projekt për varrezat e Izbicës, Likoshanit e Qirezit, ndërsa në kuadër të këtij projekti është edhe rregullimi i varrezave të Rezallës.
Muhamet Rukolli, përfaqësues i fshatit Rezallë, duke folur për historikun e masakrës, tha: “Tash kur jemi në vitin e dytë të pavarësisë së Kosovës, po e shfletojmë albumin e fotografive të djemve, të burrave, baballarëve tanë, të cilët po flasin në gjuhën e heshtjes, e ne nuk po kemi mundësi të flasim në gjuhën e fjalëve. Por ata sikur po na thonë: edhe ne jemi gjaku i Kosovës, edhe ne jemi pjesë e lirisë që ju po e gëzoni. Bëni të pamundurën e na ktheni në vendin dhe tokën tonë”.
Ai ka kërkuar të dihet fati i 42 burrave të fshatit të tij dhe fshatrave përreth, të cilët u pushkatuan me gjakftohtësi nga paramilitarët serbë. “Atë ditë të kobshme u ekzekutuan 88 civilë, 42 prej tyre ishin hedhur në një gropë, por që me 16 maj, ata të cilët kishin bërë krimin ishin kthyer në vend, i kishin zhvarrosur viktimat dhe i kishin dërguar në drejtim të panjohur, për të cilët edhe pas 11 vjetëve nuk dihet gjë”, ka thënë nder tjera Rukolli.
Ai ka shtuar se vetëm Serbia e di së ku ndodhet kufomat e tyre. “Kemi të dhëna të sakta, se këtu në atë kohë ka vepruar Garnizoni i 3-të i Çaçakut, që udhëhiqej nga komandanti serb M. Jokiq dhe se 88 civilët shqiptarë në Rezallë janë ekzekutuar pikërisht nga pjesëtarët e këtij garnizoni dhe paramilitarë të inkuadruar në të”, ka thënë ai.
Ndërkaq, duke ndjerë dhembje me familjet e viktimave, vëllai i Ukshin Hotit, Afrimi, tha se edhe familja e tij më së miri e dinë se sa është e rëndë pritja për të ditur të paktën një lajm për ata që Serbia i katandisi gjithandej, nëpër Serbi e Kosovë.
Në këtë tubim ka folur edhe Murat Jashari, masakra e Rezallës është njëra nga ngjarjet në të cilën regjimi serb tregoi skizofreninë e tij duke bërë vrasje dhe krim të dyfishtë.
…”Të gjithë ata popuj që nuk kanë mësuar nga gabimet e bëra, kanë dy rrugë: rrugën e robërisë dhe asimilimit. Prandaj ne ndodhemi në një kryq, në të cilën janë tri rrugë: është rruga e asimilimit, e robërisë dhe rruga e ndritshme e ardhmërisë. Do të varet nga ne së cilën rrugë do ta zgjedhim. Urojmë dhe shpresojmë ta zgjedhim të treten sepse është detyrim nga të parët tanë, dhe është obligim për fëmijët dhe pasardhësit tanë”, ka thënë përfaqësuesi i familjes Jashari.
Pas përfundimit të manifestimit kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku dhe bashkëpunëtorët e tij, familjarë të viktimave të masakrës së Rezallës dhe qytetarë kanë vendosur lule të lapidari i ngritur në vendin ku u pushkatuan 88 civilët, 42 të Rezallës dhe 46 të tjerë të fshatrave të tjera.
Skenderaj 5 prill – Qindra qytetarë, ish luftetarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), familjarë, përfaqësues të Famlijes Jashari, përfaqësues të pushtetit lokal në Skenderaj, organizata të dala nga lufta e UÇK-së dhe të ftuar, janë tubuar të hënën në fshatin Rezallë, për t’i përkujtuar viktimat e masakrës në këtë fshat, në të cilën 11 vjet më parë u shuan 88 jetë.