“Ditët e Mërgatës” është quajtur kjo ngjarje tashmë tradicionale, e cila organizohet nën patronazhin e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport në Skenderaj. Drejtori i saj, Feriz Zeqiri, ka thënë se për bashkatdhetarët janë paraparë të mbahen një serë aktivitetesh kulturo-artistike e sportive, nga 28 korriku deri më 3 gusht. Sipas Ferizit, aktivitetet “Ditët e Mërgatës” fillojnë me një koncert në sheshin e qytetit të Skenderajt “Adem Jashari”, i organizuar në bashkëpunim me “Radion Mërgimi” në Francë, ku do pritet të përfomojnë këngëtarë të njohur shqiptarë që jetojnë dhe vepronë në perëndim, me pjesëmarrje edhe të Shoqërisë Kulturore Artistike “Drenica”. “Do të ketë aktivitete të ndryshme, përkujtimore sic është vizita në Kompleksin Përkujtimor “Adem Jashari” në Prekaz, ku do të vendosen kurora lulesh, ndërsa në para Qendrës së Kulturës “Hasan Prishtina”, të shtunën do të zhvillohet një turne në street ball, të përcjellë me muzikë nga DJ”, ka bërë të ditur drejtori i DKRS-së disa nga aktivitet që zhvillohen për nder të bashkatdhetarëve tanë. Aktivitetet, sipas Ferizit, do të vazhdojnë më datë 1 gusht, me një ekspozitë në hollin e Shtëpisë së Kulturës me fotografi të familjes Jashari, si dhe ekspozita tjetër në Muzeun e Qytetit, të cilat do të qëndrojnë të hapura tri ditë. Do të shfaqet edhe komedia “Ëndërr për një karrige” nga teatri Drenica me regji të Ilir Veliut. Aktivitet do të pushojnë për të vazhduar serish me 2 gusht ku është paraparë të mbahet një koncert në sheshin kryesor të Skenderajt, ndërsa ato do të përfundojnë më 3 gusht me një shfaqje komike nga Teatri “Naser Kodra”, me regji të Shaqir Bejtës të titulluar “Dashuri, rrena dhe patat e egra”. Drejtori i Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Feriz Zeqiri, ka thënë se qëllimi i organizimit të këtyre aktiviteteve është që bashkatdhetarëve t’u organizohet një pritje sa më dinjitoze, dhe t’u shprehet mirënjohje për gjithë kontributin e dhënë për vendin e tyre, si dhe prezantimi i vlerave tona para bashkatdhetarëve, të cilët, siç tha ai, janë pjesë e jona. Sipas drejtorit organizimin e këtyre aktiviteteve e kanë mbështetur Ministria e Kulturës, Ministria e Diasporës, Radio Mërgimi, Kompania e Sigurimeve “Security Code” Studio “Foto Kabashi” si dhe Organizata Joqeveritare “ArTTradita”.
Skenderaj, 27 korrik – Komuna e Skenderajt edhe sivjet ka planifikuar që të organizojë pritje për bashkatdhetarët tanë që jetojnë dhe punojnë në shtete të ndryshme të Evropës dhe me gjerë, të cilët tani ndodhen për pushime në vendlindje.