Në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Skenderaj kanë deklaruar se, fatmirësisht punëtorët shëndetësorë kanë qenë “të papunë” gjatë festës së ndërrimit të moteve. Në Repartin e Gjinekologjisë të QKMF-së, ndërkaq, bëhet e ditur se foshnja e parë e vitit 2011 në komunën e Skenderajt, i takon gjinisë femërore, e cila ka ardhur në jetë në orët e para të ditës së dytë të Vitit të Ri, nga qifti bashkëshortor Ardiana dhe Bahtir Gashi nga fshati Kryeshefc i Skenderajt, të cilët e kanë pagëzuar vajzën e tyre me ermin Elsa. Edhe këtë vit, Komuna e Skenderajt, përkatësisht Sektori për Rini dhe Sport në kuadër të Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, ka organizuar pritjen e Vitit të Ri në sheshin e qytetit “Adem Jashari”. Një numër i vogël i qytetarëve ka marrë pjesë në këtë manifestim. Të ftohtit e mbrëmjes së 31 dhjetorit nuk i ka penguar qytetarët të marrin pjesë në organizimin e pritjes së Vitit të Ri, të cilët kanë mundur të ngrohen duke vallëzuar me muzikën e “DJ”-të. Sekondat e fundit të vitit që lamë pas, janë numëruar nga kryetari i Skenderajt Sami Lushtaku, i cili iu uroi drenicasve një vit të suksesshëm. Qytetarët gjithashtu kanë shijuar spektaklin e ndezjes së fishekzjarrëve, që ka zgjatur me shumë së 30 minuta, duke e ndriçuar qiellin mbi qytetin e Skenderajt. Kur akrepat e orës kanë kaluar 12-shin, në qytet është vërejtur një numër më i madh i qytetarëve, të cilët kanë mësyrë kafenetë. Ndërkaq, restorantet e këtushme për nder të festës së Vitit të Ri kanë organizuar mbrëmje familjare me muzikë “live”. Të tjerët kanë preferuar gjirin e ngrohtë familjar. Kurse KEK-u, nuk e harroi zanatin e vjetër. Nata më e hareshme e Vitit të Ri nuk ka kaluar pa reduktime të energjisë elektrike. Luksin e qytetit, i cili është furnizuar pa ndërprerje me rrymë, nuk e kanë pasur fshatrat e komunës. Për shkak të mbingarkesës, zonat rurale janë reduktuar 5 me 1 në favor të dritës, orar ky që është ashpërsuar vende-vende në 4-2 për dritën. Reduktimet e energjisë elektrike i ka konfirmuar Halim Haziri, punëtor në Trafostacionin e KEK-ut në Skenderaj, i cili ka thënë se për shkak të mbingarkesës, kanë qenë të shtrënguar të aplikojnë reduktime të rrymës, megjithëse ato nuk kanë qenë të gjata.
Skenderaj, 3 janar – Për dallim nga vitet e kaluara, kur festa e Vitit të Ri është karakterizuar me plagosje të personave, si pasojë e përdorimit të pakontrolluar të mjeteve piroteknike, kremta e vitit të sivjetmë ka kaluar pa asnjë të lënduar…