Lavdim Osmanaj, përfaqësues nga firma “Vizioni projekt”, ka sqaruar se Penda përfshinë 46.52 kilometra sipërfaqe tokësore të pellgut ujëmbledhës në aksin e digës, ndërsa kjo e fundit është paraparë t’i ketë 81 metra largësi nga shtrati natyror. Nënkryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura, ka thënë se për studimin e fizibilitetit, pushteti lokal dhe Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZhR) kanë ndarë një shumë prej 200 mijë eurosh. Duke folur rreth prezantimit të projektit të studimit të fizibilitetit për Pendën e Kuçicës, nënkryetari ka thënë se ky është vetëm hapi i parë drejt realizimit të prej projekteve më madhore në komunën e Skenderajt, i cili do të zgjidhë njëherë e përgjithmonë problemin e furnizimit me ujë të pijshëm. Pasiqë, realizimi i këtij projekti llogaritet të kushtojë me dhjetëra miliona euro, nënkryetari Nura ka thënë se kostoja e tij është e papërballueshme për buxhetin komunal. Përveç kësaj, projekti do të marrë shumë kohë. “Ky projekt kushton përafërsisht 31 milionë euro dhe parashihet t’i furnizojë me ujë të pijshëm banorët e komunave Skenderaj dhe Drenas. Megjithëkëtë, Komuna nuk ka mundësi financiare për realizimin e projektit të Pendës së Kuçicës, por, meqë është projekt kapital për gjithë regjionin e Drenicës, besoj në mbështetjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës, apo të ndonjë donatori të fuqishëm”, ka thënë nënkryetari i Skenderajt, Fadil Nura.
Skenderaj, 16 dhjetor – Përfaqësuesit e firmës projektuese “Vizioni projekt” nga Prishtina kanë prezantuar të enjten para drejtuesve të Komunës së Skenderajt projektin e studimit të fizibilitetit të Pendës së Kuçicës, ndërtimi i të cilës do të zgjidhë problemin e furnizimit me ujë të pijshëm për 200 mijë banorë.