Skenderaj, 1 tetor – Bastisjet e para dy ditëve, të kryera nga EULEX-i dhe Policia e Kosovës, me kërkesën e Agjensionit Kosovar Antikorrupsion, kanë bërë që Komisioni për ndarjen e banesave sociale në Skenderaj, të tubohet të premten. Komisioni Ad hok, 7 anëtarësh, është tubuar 14 muaj pas pushimit të funksionimit, kurse në takim ka marrë pjesë edhe kryetari i Komunës, Sami Lushtaku, për të rrumbullakësuar në tetë numrin e personave që sipas AKK-së janë të dyshuar për keqpërdorim detyre, mashtrim në detyrë dhe ushtrim ndikimi.
Pas takimit, kryetari i komisionit, Hashim Meha, ka mbajtur konferencë për media në të cilën ka treguar edhe një herë se Komisioni ka vlerësuar se ka punuar drejtë dhe se nuk pendohet për asgjë.
I pyetur për tre emrat për të cilët flitet në fletë-bastisje, Meha ka dhënë sqarimin për secilin prej tyre. “Fjala është për Sanije Mulaj, e punësuar si pastruese, të cilës nuk i punon bashkëshorti dhe kanë 6 fëmijë. Deri atëherë kishin jetuar në shtëpinë e një ashkaliu në Skenderaj, sepse nuk kanë shtëpi në fshatin e tyre, Leçinë”, ka sqaruar ai për këtë përfituese për të cilën ishte spekuluar se bashkëshorti i saj ka firme në Istog.
Ai mandej ka sqaruar edhe për rastin e dytë që përmendet në dokumentin e AKK-së, për përfituesin Ali Ngucati, invalid i luftës, i cili nuk kishte konkurruar fare për banesë. “Është e vërtetë se ai nuk ka konkurruar për banesë, sepse në atë kohë ka pasur shtëpi, të cilën e ka prishur vetë për të liruar hapësirë për ndërtimin e trasesë së rrugës së asaj ane”, ka sqaruar Meha. Tutje ai ka thënë se për të mos e lënë në rrugë këtë familje, Bordi i Drejtorëve kishte vendosur ta strehojë përkohësisht në një prej banesave sociale, derisa të përfundoj objekti për kategoritë e dala nga lufta i cili është në ndërtim e sipër.
Ndërkaq, për rastin e tretë të cekur në fletëbastisje, ka thënë se është rast specifik. “ Selim Behrami, ish punëtor i ujësjellësit, pas lufte kishte ndërtuar shtëpi në pronën e kompanisë së vet e cila është pronë publike. Aty, me plan urbanistik parashihej ndërtimi i Qendrës zejtare, andaj ne kërkuam lirimin e asaj prone, por ai kundërshtoi duke e konsideruar atë si pronë private”, ka sqaruar Meha.
Ai ka thënë se lënda është në gjykatë por Asambleja Komunale ka vendosur që deri në përfundim të kontestit, kësaj familje t’i ndahej banesë, si strehim i përkohshëm, por ai nuk kishte pranuar një banesë të tillë.
Duke u përgjigjur në një dyshim se vet njëri prej anëtarëve të komisionit ka deponuar ankesë në AKK, Meha tha se për secilën prej 43 banesave të ndara, komisioni ka vendosur unanimisht. Ai në fund ka thënë se nuk kanë shpjegim pse nuk janë bastisur të gjithë anëtarët e komisionit por vetëm gjysma prej tyre.
Skenderaj, 1 tetor – Bastisjet e para dy ditëve, të kryera nga EULEX-i dhe Policia e Kosovës, me kërkesën e Agjensionit Kosovar Antikorrupsion, kanë bërë që Komisioni për ndarjen e banesave sociale në Skenderaj, të tubohet të premten…..