Nxënësit kanë dëgjuar historinë e luftës së 5, 6 dhe 7 marsit të vitit 1998 të Adem Jasharit dhe familjes së tij nga ciceroni zyrtar i KP “Adem Jashari”, si dhe kanë shëtitur në hapësirat e kompleksit. Blerina Luta, 15 vjeçare, e cila jeton në Suedi, ka thënë se është shumë e lumtur që viziton Kosovën dhe Prekazin e Adem Jasharit, për të cilin sic tha, ka dëgjuar nga prindërit, pak nga televizori si dhe nga arsimtarët e saj. “Kam ardhur këtu me shkollën e gjuhës shqipe për ta vizituar atdheun tim. Ishim në Prekaz dhe atje pamë varrezat e dëshmorëve, kullën në të cilën ka luftuar Adem Jashari dhe familja e tij kundër okupatorit serb. Për luftën e tij unë kam dëgjuar nga prindërit, televizori dhe pak nga arsimtarët. Jam shumë e lumtur që ndodhem këtu”, është shprehur nxënësja Blerina Luta. Ndërkaq, arsimtari i saj i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, Xhevat Isufi, arsimtar i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, i cili gjithashtu jeton dhe vepron në Suedi, Prekazin e e ka quajtur Mekë të shqiptarëve. “Ishim për vizitë në Prekaz, të cilin ndryshe e quajmë Mekë të shqiptarëve. Jemi me nxënës të shkollave në Suedi, një pjesë e të cilëve nuk ka qenë kurrë në Kosovë, por gjatë kësaj vizite patën rastin të vijnë në vendlindje dhe t’i vizitojnë vendet e ndryshme që lidhen me historinë e popullit shqiptar. Vizita si kjo që organizohet nga MASHT-i janë të veçanta sepse kanë karakter mësimor dhe nxënësit tanë mësojnë për historinë më të re të shqiptarëve, gjeografinë, kulturën dhe traditën tonë, pasi të gjithë nxënësit janë të lindur jashtë Kosovës”, ka thënë Isufi. Vizita e nxënëse shqiptarë të Suedisë ka filluar të hënën me një pritje të ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja, për të vazhduar të martën në Prekazin e Adem Jasharit. Arsimtari i gjuhës shqipe ka thënë se nga kjo vizitë nxënësit tanë mësojnë për heroizmin e komandantit dhe familjes së tij, dhe mësojnë për bëmat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila, siç tha ai, bashkë me aleatet e Kosovës arritën ta dëbojnë njëherë e përgjithmonë armikun tonë shekullor jashtë trojeve stërgjyshore. “Vizitën në Kosovë e përfundojmë të premten, ndërsa të shtunën do të udhëtojmë për në Suedi. Do të veçoja se që nga vitit 2004 për çdo vit vijë në Kosovë dhe në Prekaz të Skenderajt, dhe kjo është një moto në procesin tim mësimor që zhvillojë me nxënës”, ka thënë Isufi. Sipas tij, në shkollat shqipe në Suedi punohet shumë që tradita dhe kultura shqiptare të mos harrohet nga gjeneratat e reja. Ai ka thënë se këta fëmijë e mësojnë gjuhën shqipe dhe e ruajnë me xhelozi traditën e të parëve, dhe njëkohësisht ato ruhen përmes festave të ndryshme, aktiviteteve dhe takimeve me bashkatdhetarë. “Përmes kësaj ne mbajmë gjallë jetën e kulturës shpirtërore të shqiptarëve, duke filluar nga mësimi i gjuhës amtare e deri te aktivitetet kulturore”, ka thënë arsimtari Xhevat Isufi. Edhe Mahida Idrizi, është shprehur e lumtur që ndodhet në Skenderaj. “Jam e lumtur që po vizitojë Kosovën time të dashur, e veçanërisht jam e gëzuar që vizituam Prekazin e Adem Jasharit”. Ndërkaq, mikpritësi i delegacionit të nxënësve dhe arsimtarëve shqiptar nga Suedia, Jashar Lushtaku, i cli është drejtor i Drejtorisë së Arsimit në Skenderaj, ka thënë se ishte kënaqësi të pritet mysafirët me të cilët kanë ndarë nostalgjinë, që ata kanë për vendin dhe atdheun e vet. “Besoj edhe nxënësit janë ndarë të kënaqur me vizitën në Skenderaj e posaçërisht në Prekaz të Adem Jasharit”, ka thënë Lushtaku. Delegacioni ka përfunduar agjendën në Skenderaj me vizitën në Gjimnazin “Hamëz Jashari” dhe Shkollën Fillore “Ahmet Delia” në qytet.
Skenderaj, 19 prill – Delegacioni i nxënësve dhe arsimtarëve shqiptarë, që jetojnë dhe veprojnë në Suedi, në kuadër të qëndrimit disaditorë në Republikën e Kosovës, të martën ka qëndruar në Skenderajt, me ç’rast ka vizituar Kompleksin Përkujtimor “Adem Jashari” në Prekaz.