Skenderaj, 10 maj – Mbrëmjeve të errëta në disa lagje dhe rrugë të qytetit të Skenderajt, frekuentimi i të cilave është i madh, po u vjen fundi. Realizimi i projektit për ndriçim publik ndodhet në fazën e fundit, thonë zyrtarët nga Drejtoria për Urbanizëm dhe Mbrojtje të Ambientit (DUMA) për Komunën e Skenderajt.
Visar Hyseni, zyrtar në këtë dikaster, ka bërë të ditur se projekti për ndriçimin e qytetit, është financuar nga Komuna e Skenderajt në bashkëpunim me USAID-in amerikan, dhe sipas tij, aktualisht janë duke u rregulluar dritat në rrugët “18 Qershori” dhe “Ilaz Kodra”, përkatësisht segmenti i rrugës nga Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare deri te xhamia e qytetit. “Në kuadër të këtij projekti kemi edhe rehabilitimin e ndriçimit publik, do të thotë shtyllat e vjetra janë duke u sanuar dhe zëvendësuar me shtylla të reja.
Ky projekt ndihmohet nga USAID-i ka me 30 për qind të investimit, kurse Komuna e Skenderaj investon 70 për qind”, ka thënë Hyseni, duke shtuar se shuma e investimit në realizimin e projektit për ndriçimin publik është 30 mijë euro (10 mijë të USAID-it dhe 20 mijë të Komunës).
Zymer Veliu, është përfaqësues i firmës kontraktuese “Europrojekt”, e cila ka fituar tenderin për rregullimin e infrastrukturës ndriçuese në dy rrugë të qytetit. Ai thotë punimet kanë filluar para dy jave, kurse plani dinamik i projektit ka qenë periudha prej dyzet ditësh. Sipas tij, nëse gjithçka shkon sipas dinamikës së paraparë, pavarësisht disa pengesave të vogla që kanë dalë, projekti do të finalizohet brenda 10 ditëve. “Kemi disa pengesa të vogla përpara, por besoj së brenda dhjetë ditëve gjithçka do të përfundojë dhe do të kemi ndriçim në këto dy rrugë”, ka thënë përfaqësuesi “Europrojektit”, Zymer Veliu, sipas të cilit në këtë projekt është përfshirë rehabilitimi i 27 shtyllave ndriçuese.
Një projekt i kësaj natyre është realizuar edhe vitin e kaluar, në kuadër të të cilit është bërë rregullimi i dritave në rrugët “28 Nëntori” dhe “Osman Geci”, derisa komuna është duke i shqyrtuar mundësitë për të investuar në një projekt tjetër, me qëllim të ndriçimit të rrugëve “Dëshmorët e Kombit”, “Ahmet Delia” dhe “Fehmi dhe Xhevë Lladrovci”.
Për këto rrugë jemi në negociata me GTZ-në gjermane”, ka pohuar z. Hyseni, duke mos mundur të saktësojë shumën e mjeteve që do të investohen për këtë projekt. Megjithëkëtë, ai shpreson se gjatë këtij viti ndriçimi publik, në rrugët kryesore, do të përfundojë.
Skenderaj, 10 maj – Mbrëmjeve të errëta në disa lagje dhe rrugë të qytetit të Skenderajt, frekuentimi i të cilave është i madh, po u vjen fundi.