Pas takimit që pati të enjten me kryetarin e Komunës së Skenderajt Sami Lushtaku dhe të gjithë drejtorët e drejtorive komunale, ministrja Çitaku ka thënë se, nuk ka fije dyshimi se, ashtu siç është dëshmuar të jetë kampione Komuna e Skenderajt, si në menaxhimin e parasë publike, në mbledhjen e të ardhurave, ashtu do të jetë kampion edhe në procesin e riintegrimit të personave të riatdhesuar. “Në kuadër të vizitave që iu kam bërë të gjitha komunave të Kosovës, sot jemi në Skenderaj, me të cilën realisht po përmbyllim këtë cikël vizitash. Unë nuk kam fije dyshimi se, ashtu siç është dëshmuar të jetë kampione komuna e Skenderajt, si në menaxhimin e parasë publike, në mbledhjen e të ardhurave, ashtu do të jetë kampione edhe në procesin e riintegrimit të personave të riatdhesuar. E njoftova kryetarin Lushtaku dhe ekipin e tij deri në detaje për mundësitë që ekzistojnë në kuadër të fondit për riintegrimin e personave të riatdhesuar dhe për përfitimet që mund t’i kenë të riatdhesuarit dhe komuniteti në Skenderaj”, ka thënë ministrja Çitaku të enjten, pas takimit me krerët e Komunës së Skenderajt, për të cilën ka thënë se ka përgatitur aplikacione shumë profesionale, për përfitim dhe riintegrim të personave të riatdhesuar. Në Skenderaj janë rreth 30 raste të personave të kthyer, shumica prej të cilëve janë riintegruar apo janë në proces të riintegrimit në shoqërinë kosovare. Fatmir Balaj, zyrtar komunal për Kthim dhe Komunitete në këtë komunë, ka thënë se deri më tani janë rreth 30 kërkesa për riatdhesim, 20 prej të cilave janë proceduar në Ministrinë e Punëve të Brendshme, përkatësisht në Departamentin për Riintegrim. “Detyrat tona kanë të bëjnë me përgatitjen e dokumentacionit, formojmë lëndën, duke marrë informata nga palët, verifikojmë gjendjen e personave, dhe ajo lëndë dërgohet në MPB. Personat e kthyer i takojnë të gjitha komuniteteve, ndonëse shumica prej tyre janë shqiptarë, një familje boshnjake, etj”, ka thënë Balaj, sipas të cilit, të riatdhesuarit ndihmohen nëpërmjet formave të ndryshme të integrohen në shoqëri. “Të kthyerit përfitojnë gjëra ushqimore e joushqimore, pagesën për qira, si dhe mund të përfitojnë ndonjë projekt për krijimin e të ardhurave, nga të cilat do të mund të zhvillonin biznes që do të siguronin ekzistencë për familje”, është shprehur Fatmir Balaj, zyrtar komunal për Kthim dhe Komunitete në Komunën e Skenderajt.
Skenderaj, 30 qershor – Ministresha e Integrimeve Evropiane të Kosovës, Vlora Çitaku, i ka dhënë mbështetje Komunës së Skenderajt në procesin e riatdhesimit të personave të kthyer në vendlindje, në kuadër të integrimit të republikës sonë në familjen e madhe evropiane…