Në sheshin “Adem Jashari” u mbajt ceremonia përmbyllëse e shënimit të Epopesë së UÇK-së, e shoqëruar me një program të pasur artistik dhe pjesëmarrje të madhe të qytetarëve.
Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues institucionalë dhe mysafirë të shumtë, Baca Rifat Jashari, kryetari i komunës, Sami Lushtaku, ministri i Mbrojtjes, drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport, si dhe qytetarë të shumtë që u mblodhën për të nderuar sakrificën dhe historinë e luftës çlirimtare.
Programi u karakterizua nga pika të ndryshme muzikore dhe artistike, të cilat krijuan një atmosferë emocionale dhe përkujtimore për të gjithë të pranishmit. Përmes këtyre interpretimeve u përçua mesazhi i respektit dhe mirënjohjes për dëshmorët dhe luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e kësaj ngjarjeje historike, në Prekaz u mbajt edhe ceremonia tradicionale Nata e Zjarreve, ku u ndezën flakadanët në nderim të sakrificës së familjes Jashari dhe të gjithë dëshmorëve të lirisë. Kjo natë simbolike përkujton qëndresën dhe heroizmin që u bënë themel i lirisë së Kosovës.