Megjithatë, krejt çfarë kishin deputetët për të thënë, ishin disa sqarime në lidhje me raportin final të shpenzimit të buxhetit, të cilat u kërkuan nga drejtori i Drejtorisë për Financa dhe Zhvillim, Ismet Aliu. Gjithashtu këshilltarët kanë miratuar edhe propozimin për bartjen në vitin 2011 e të hyrave vetanake të pashfrytëzuara në vitin e kaluar, shuma e të cilave është 195.508 euro. Në vazhdim të seancës, asambleistët kanë miratuar me disa vërejtje, por edhe me sugjerime të Grupit Parlamentar të PDK-së, ndryshimet në Rregulloren komunale për tarifa, taksa dhe gjoba, si dhe skemën organizative të Komunës, ndërsa me propozimin e Drejtorisë për Urbanizëm dhe Mbrojtje të Ambientit është formuar Këshilli i ekspertëve për planifikim hapësinor. Për detyrat e këtij këshilli, foli drejtori i Urbanizimit Hasan Shala, i cili theksoi se këshilli është që të jap këshilla dhe sugjerime, si dhe ta përcjellë punën e hartimit dhe implementimit të planeve zhvillimore komunale, planeve zhvillimore urbane dhe planeve rregulluese urbane. Në përbërje të këtij këshilli janë: Ylber Morina arkitekt, Ragip Behrami inxh. i ndërtimtarisë, Lirie Beka arkitekte, Mihane Bekteshi afariste dhe Vehbi Goxhuli mr. i ambientit. Një ndër pikat më të debatueshme të rendit të ditës ishte kërkesa e Drejtorisë për Arsim në Skenderaj, lidhur me pezullimin nga procesi mësimor i Jetlira Gashit, nxënëse e klasës XI të Shkollës së Mesme Teknike “Anton Çetta”, për shkak të mungesave të shumta të paarsyeshme, si dhe sjelljeve jo të hijshme në shkollë. Thuajse të gjithë këshilltarët e Kuvendit ishin të pajtimit për mos kthimin e saj në procesin mësimor, nga i cili është larguar në fillim të muajit dhjetor të vitit të kaluar. Megjithëkëtë, me dy vota kundër, Asambleja vendosi ta lerë në fuqi pezullimin e nxënës Jetlira Gashi nga procesi mësimor në shkollën në fjalë, por duke i ofruar mundësinë e transferimit në një shkollë jashtë Komunës së Skenderajt. Pikë tjetër e rendit të ditës ishte edhe dhënia e betimit të dy këshilltarëve të rinj: Dhurata Behrami dhe Armend Rushiti, të cilët plotësuan vendet e ish-këshilltarit të ndjerë Fadil Rrustemi dhe Ganimete Musliut, që është deputete në Parlamentin e Kosovës.
Skenderaj, 30 mars – Këshilltarët e Asamblesë Komunale të Skenderajt, në mbledhjen e së mërkurës, pa asnjë vërejtje kanë miratuar me shumicë votash raportin përfundimtar të shpenzimit të buxhetit për vitin e kaluar, të cilin e ka paraqitur kryetari i Komunës, Sami Lushtaku…