Ruzhica Shmigiç, ka shprehur gatishmërinë për kthim, por ka shfaqur brengën se procesi do të zvarritet si në rastin e Runikut fqinj, ndërkaq kushëriri i saj, Sllobodani, pasi ka treguar se në vizitë janë pritur shumë mirë nga shqiptarët, ka treguar shtuar: “Gjendja në pronat tona tregon se nuk kemi ku të kthehemi, andaj kërkojmë ndihmën tuaj sepse juve ju kemi më të afërmin”.
Dragulub Shmigiç, gjendjen e pronave e ka paraqitur me të keqe se sa në vizitën e para 4 vitesh pasi, siç tha “tash as qe dihet ku i kemi pasur shtëpitë apo varrezat”. Ai mandej ka ngritur shqetësimin e motrës se tij të zhdukur dhe banesës se saj në Skenderaj, si dhe mungesën e sigurisë. Siguri dhe liri të lëvizjes kanë kërkuar edhe serbët Novica dhe Radmilla, të cilët janë ankuar se shqiptarët po ua shfrytëzojnë pronat dhe kanë kërkuar edhe mundësi punësimi.
Danica Pantiq, ish punëtore e NSH “LUX” është interesuar pse serbët nuk e marrin 20 për qindshin e privatizimit.
Ndërkaq, Millutin Kovaqeviq, koordinator për të zhvendosurit, u ka thënë bashkëkombasve të tij, se “gjendja në Leçinë është e tillë sepse ju nuk jeni kthyer atje që të jetoni”, ndërkohë ka shtuar se gjendja e sigurisë është e volitshme dhe ka apeluar qe të kthehen duke i garantuar se nuk do të zhgënjehen.
Nga ana e tij, kryetari i komunës, Sami Lushtaku, ka pranuar se kontaktet e para ndëretnike, pas tërë asaj qe ka ndodhur gjatë luftës, nuk janë të lehta. “E di se edhe ju në fillim e keni të vështirë, sikurse edhe komuniteti pritës, dhe mos pritni që ata të ju presin me lule. Edhe në mesin e tyre mund të gjendet ndonjë qe dëshiron të përfitojë nga pronat e juaja, apo gjendet edhe ndonjë “patriot i vonuar”, por ata janë individë dhe me ta do të merremi ne”, ka thënë ai.
Lushtaku mandej ka treguar se kurrë serbëve nuk u ka thëne mos e duani Serbinë. “Duajeni edhe fort bile, sepse edhe unë e dua Shqipërinë, dhe po të pyetesha do të ishim bashkuar. Por, ky është realiteti i krijuar në Kosovë , dhe ju kërkoj që ta pranoni këtë realitet, siç e kemi pranuar edhe ne”, ka potencuar i pari i komunës.
Duke u përgjigjur në shqetësimet për pronat, ai i ka përkujtuar se 98 për qind e shtëpive të shqiptarëve ishin shkatërruar gjatë luftës, por shumica janë ndërtuar, dhe ka premtuar se do të ndërtohen edhe shtëpitë e tyre nëse ata vendosin të kthehen. “Megjithëkëtë, unë jam i lumtur që po me pyesni për pronat për dallim prej shumicës së shqiptarëve që me pyesin për eshtrat e familjarëve të vet që ende nuk i kanë gjetur, por edhe për përkujdesjen për jetimët e qindra të vrarëve sa kemi në komunën tanë”, ka thënë në fund Lushtaku.
Propozimin për të pirë kafe në qytet, serbët fillimisht kanë hezituar por me vonë kanë pranuar dhe për më se një orë kanë biseduar me zyrtarë dhe qytetarë që janë ndodhur në afërsi të lokalit.
Skenderaj, 15 shtator – Kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, gjatë një takimi që përfaqësuesit e serbëve të Leçinës patën të mërkurën me udhëheqjen komunale, në të cilin kanë marrë pjesë përfaqësues të organizatave DRC, UNHCR, Agejncia Kosovare e Pronave, KFOR-i, Policia e Kosovës, përfaqësuesit e OJQ “Zaviqaj za Povratak” nga Kragujevci etj, pas vizitës së radhës “Shko e shih”, që të zhvendosurit i kishin bërë fshatit të tyre, u ka premtuar atyre që do të bëjë gjithë ç’është në kompetencat e tij dhe të organeve komunale që ata të kthehen në pronat e tyre, në se dëshirojnë.