Nëntori për ne shqiptarët është më shumë se një kapitull i kalendarit – është kujtesë, sakrificë, krenari dhe vazhdimësi. Në këtë muaj nderojmë ngjarjet që formësuan rrugën tonë historike dhe që sot frymëzojnë brezat për t’i ruajtur vlerat kombëtare.
Me respekt të thellë kujtojmë ngritjen e flamurit nga Gjergj Kastrioti Skënderbeu në Krujë, akti që shënoi ringritjen e qëndresës shqiptare dhe bashkimin rreth simbolit tonë të përjetshëm, shqiponjës dykrenare. Po aq solemne është edhe Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë më 28 Nëntor 1912, momenti kur ëndrra shekullore u bë realitet dhe kombi ynë u shpall i lirë dhe i pavarur.
Nëntori është gjithashtu muaji i kujtesës së luftës së fundit për liri. Ne nderojmë me krenari ditëlindjen e Komandantit Adem Jashari, simbolin e rezistencës së pathyeshme, si dhe daljen publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, hapin e parë të shndërrimit të qëndresës në çlirim dhe liri.
Këto ditë, me aktivitete të shumta përkujtimore, u përkulëm me nderim para sakrificës së atyre që dhanë gjithçka për atdheun, me homazhe në Prekaz, në Kompleksin e Dëshmorëve në Morinë, si dhe pranë monumentit të daljes publike të UÇK-së në Llaushë. U shënua me respekt të veçantë zbulimi i busteve të Salë e Hamit Jasharit në institucionin parashkollor, një simbolikë edukimi për brezat e rinj mbi trimërinë dhe atdhedashurinë. Po ashtu, u bë zbulimi i obeliskut të UÇK-së, si dhe i muraleve të reja përkushtuese, përfshirë muralin “Vallëzimi i Nëntorit”, që sjell në ngjyra ritmin e lirisë dhe krenarisë sonë kombëtare.
Nëntori na bashkon. Na rikthen te rrënjët, te gjuha, te flamuri, te ata që i dhanë kuptim fjalës liri.
Le ta festojmë me krenari, me zemër dhe me përkushtimin për të mbajtur gjallë amanetin e tyre.
Gëzuar Festat e Nëntorit!