Në nderim të dëshmorëve dhe martirëve të rënë në Betejën e Qirezit dhe Likoshanit, u bënë homazhe në Kompleksin Përkujtimor të të rënëve në Likoshan.
Në homazhe morën pjesë Kryetari i Komunës, z. Sami Lushtaku, Kryetari i Drenasit Ramiz Lladrovci, Kryesuesja e Kuvendit, znj. Adelina Spahiu-Alija, gjeneralë e veteranë të luftës, deputetë të Kuvendit të Kosovës, drejtorë e këshilltar komunal, përfaqësues të organizatave të dala nga lufta dhe qytetarë të shumtë.
Të pranishmit vendosën kurora lulesh dhe bënë nderime pranë varreve, duke përkujtuar me respekt dhe mirënjohje sakrificën sublime të dëshmorëve dhe martirëve për lirinë e vendit.
Pas ceremonisë së homazheve, Kryetari i Komunës, z. Sami Lushtaku, vizitoi edhe familjet e dëshmorëve dhe martirëve, me të cilat ndau dhimbjen dhe bashkëndjeu me ta në këtë përvjetor të 28-të. Ai i falënderoi për sakrificën e jashtëzakonshme, duke theksuar se bijtë dhe bijat e tyre dhanë jetën për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Kryetari ritheksoi se kujtimi dhe respekti për dëshmorët dhe martirët do të mbetet gjithmonë i gjallë, ndërsa institucionet do të jenë pranë familjeve të tyre, duke vlerësuar kontributin dhe sakrificën e tyre të pazëvendësueshme për atdheun.