Gjatë ditëve të fundit, Komuna e Skenderajt është përballur me një situatë të vështirë si pasojë e vërshimeve të shkaktuara nga reshjet e shumta, të cilat kanë prekur disa zona të komunës. Si rezultat, janë shkaktuar dëme të konsiderueshme në ekonomitë familjare, biznese, infrastrukturë lokale dhe toka bujqësore, duke ndikuar drejtpërdrejt në jetën dhe veprimtarinë e qytetarëve.
Me qëllim të menaxhimit të situatës dhe ofrimit të ndihmës së nevojshme, Komuna e Skenderajt ka aktivizuar të gjitha mekanizmat institucionalë.
Kryetari i Komunës, Sami Lushtaku, ka qenë prezent në terren, ku nga afër ka përcjellë gjendjen dhe ka koordinuar veprimet me strukturat komunale, Njësinë e Zjarrfikësve, Policinë e Kosovës dhe shërbimet e tjera emergjente, të cilat kanë qenë vazhdimisht të angazhuara për monitorimin e situatës, ndërhyrjen në zonat e prekura dhe garantimin e sigurisë së qytetarëve.
Gjendja e sotme paraqitet më e stabilizuar, megjithatë temperaturat nën zero dhe reshjet e borës po paraqesin sfida shtesë, duke kërkuar kujdes të shtuar dhe gatishmëri të vazhdueshme nga të gjitha institucionet përkatëse.