Skenderaj, zemra e Drenicës dhe një nga vatrat më të rëndësishme të traditës shqiptare, hapi sot dyert për edicionin e radhës e që është vit jubilar i Festivalit Gjithëkombëtar “Rapsodia Shqiptare – Skenderaj 2025”, një ngjarje kulturore e cila synon të ruajë, promovojë dhe përcjellë trashëgiminë e pasur rapsodike e epike të kombit tonë.
Ky festival, tashmë i shndërruar në një traditë të çmuar mbarëkombëtare, mbledh në Skenderaj dhjetëra rapsodë, këngëtarë dhe artistë nga të gjitha trevat shqiptare – nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe diaspora. Zërat e lahutës, çiftelisë dhe këngës epike i japin qytetit një ngjyrim solemn e festiv, duke sjellë atmosferën e një bashkimi kulturor që tejkalon kufijtë.
Hapjen e festivalit e bëri kryetari i Komunës, Fadil Nura, ndërsa kanë marrë pjesë edhe nënkryetari Sami Lushtaku, deputetë mysafirë nga Parlamenti i Shqipërisë, deputetë të Parlamentit të Republikës së Kosovës, të ftuar tjerë dhe personalitete nga jeta shoqërore dhe kulturore.
Edicioni i këtij viti zhvillohet në kuadër të festave të nëntorit, periudhës së krenarisë kombëtare që simbolizon shtetndërtimin, lirinë dhe sakrificat e brezave. Në këtë frymë, festivali i sivjetshëm i kushtohet veçanërisht figurës heroike të Hamëz Jasharit, një prej shtyllave të rezistencës dhe një emër i përjetësuar në historinë e luftës për liri. Përmes këngëve epike, dedikimeve artistike dhe interpretimit të rapsodëve, kujtimi i tij nderohet me respekt të thellë dhe mirënjohje.
Skenderaj, për disa ditë me radhë, shndërrohet kështu në kryeqendrën e kulturës popullore shqiptare, duke u bërë vendtakim i rapsodëve e grupeve të folklorit shqiptar, në një garë që vlerësohet nga juria profesionale.
Kjo ngjarje kulturore me përmasa mbarëkombëtare organizohet në nderim të festave të nëntorit, personaliteteve dhe ngjarjeve historike kombëtare, siç janë; Gjergj Kastrioti – Skenderbeu, Dita e Flamurit dhe Ismail Qemali, ditëlindja e Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe dalja publike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovë në Llaushë të Skenderajt.