Me aktivitete të shumta, organizuar nga Komuna e Skenderajt, është shënuar sot 28 Nëntori – Dita e Flamurit dhe ngjarjet tjera historike e figurat e ndritura të kombit tonë si Skenderbeu, Ismail Qemali, komandanti legjendar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Adem Jashari në përvjetorin e lindjes së tij dhe dalja publike e UÇK-së në Llaushë më 1997.
Delegacioni i Komunës, i udhëhequr nga kryetari Fadil Nura, nënkryetari Sami Lushtaku, zyrtarët të lartë të Partisë Demokratike të Kosovës, deputetë të Parlamentit, drejtorët komunalë, anëtarët e Kuvendit, përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta, bashkëluftëtarë dhe qytetarë të shumtë, kanë marrë pjesë paradite në homazhe, ku janë bërë te shtatorja e Komandantit Legjendar Adem Jashari në sheshin e qytetit tonë, për të vazhduar më pas në Kompleksin Përkujtimor në Prekaz dhe në Kompleksin e Dëshmorëve në Marinë.
Në mesditë është mbajtur ceremonia e ndarjes së mirënjohjeve për gratë luftëtare të Zonës Operative të Drenicës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe doktoreshat e infermieret e Spitalit Ushtarak në kuadër të kësaj zone.
Në fjalimin e tij, kryetari Nura ka falënderuar veteranet dhe mjeket për kontributin e tyre në luftë, duke luftuar për lirinë e vendit dhe duke u ofruar ndihmën ushtarëve dhe civilëve të plagosur.
Edhe nënkryetari Lushtaku, që ishte komandant i Zonës Operative të Drenicës, duke iu drejtuar bashkëluftëtareve të tij, ka falënderuar ato për angazhimin e madh në luftën për lirinë e popullit të Kosovës. Ai ka falënderuar edhe mjeket dhe infermieret e Spitalit Ushtarak, për angazhimin e tyre duke shëruar të plagosurit.
Pas kësaj, si pjesë e agjendës së aktiviteteve në kuadër të shënimit të festave të nëntorit, është organizuar maratona e vrapimit në gjatësinë e 28 kilometrave, ku janë shpërblyer tri vendet e para në dy konkurrencat.
Ndërkaq, aktivitetet kanë përfunduar me natën finale të Festivalit Folklorik Gjithëkombëtar “Rapsodia Shqiptare Skenderaj 2022”, që u mbajtur në Qendrën e Kulturës Hasan Prishtina”, ku për tri net më radhë kanë marrë pjesë mbi 45 grupe folklorike e rapsodë nga mbarë trevat shqiptare.
Juria profesionale, pas vlerësimit të secilës paraqitje, fitues të festivalit nxori Grupin Polifonik “Thesare Labe” nga Tirana, i cili fitoi Kullën e Jasharave, si çmimi kryesor, ndërsa në vendin e tyre u vlerësua Ansambli i Këngëve dhe Valleve “Kastriotët” nga Ferizaj, dhe vendin e tretë e ndanë dy shoqëri artistike SHKA “Dibra” dhe Ansambli “Drenica” nga Skenderaj.
Çmimin kryesor e ndau Rifat Jashari, të dytin kryetari i Komunës së Skenderajt Fadil Nura, të tretin e ndau Musa Jashari. Pati edhe çmime të tjera të këtij festivali tashmë tradicional të cilat u ndanë me mirënjohje për kontributin e grupeve folklorike dhe rapsodët nga mbarë trevat shqiptare.