Në përmbushje të obligimeve ligjore, përkatësisht të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale dhe Statutit të Komunës, të cilët obligojnë kryetarin e komunës, që të mbajë dy takime vjetore me publikun, sot kryetari i Komunës, Fadil Nura, ka mbajtur takimin e dytë për këtë vit me qytetarë, para të cilëve ka informuar rreth punëve që janë zhvilluar dhe projekteve të realizuara gjatë vitit aktual.
Në fjalën e tij, kreu i Skenderajt, ka potencuar angazhimin e qeverisjes lokale, për të realizuar projekte në interesin qytetarë, ndërsa ka thënë se ky vit megjithatë kishte sfida, sic ishin vërshimet e janarit.
Në këtë rast, Nura ka thënë se fatkeqësia natyrore ka detyruar Komunën t’i ndryshojë disa nga projektet, për t’i dhënë prioritet më të lartë trajtimit të lumenjve dhe Lumit “Klina”.
Sic theksoi ai tutje, megjithatë është punuar dhe janë realizuar një numër i madh i projekteve zhvillimore, si në infrastrukturën rrugore publike, subqendrat, sistemin e ujësjëllësit, kanalizimit, janë realizuar një numër i madh i projekteve bujqësore, si dhe veprime të tjera publike që kanë pas për qëllim të ngritin cilësinë e jetës së qytetarëve.
Murat Mehmeti ka pyetur për projektin e ujësjellësit në Likoc, por ka pasur pyetje edhe për rrugica që kanë nevojë për asfalt dhe çështje tjera në interes të qytetarëve.
Kryetari Nura ka thënë se vitin e ardhshëm do të vijohet me përkushtim të punohet në të mirë të qytetarëve, me gjithë vështirësitë e mos përkrahjes nga niveli qendror për projekte kapitale, siç ndodhi që asnjë projekt i ri për komunën e Skenderajt nuk u përfshi në listën e Qeverisë për investime kapitale për vitin 2024.