I pari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, së bashku me Ministrin e Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj, ushtruesen e detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë për Arsim dhe Aftësim Profesional dhe Arsimin e të Rriturve, Fikrije Zymberi, Drejtorin e Arsimit, Bekim Latifi dhe drejtorin e Qendrës së Kompetencës, Armend Bajraktari, inaguruan Qendrën për Karrierë në shkollën e mesme profesionale “Qendra e Kompetencës” në Skenderaj.
Kryetari Jashari tha se krijimi i Qendrës për Karrierë është edhe një e arritur tjetër e përbashkët në rrugën tonë të orientimit të të rinjve në karrierë, fuqizimi i shkathtësive dhe përgatitjen për të ardhmen e tyre universitare.
“Kështu, përmes kësaj qendre do të arrijmë që të rinjtë të kenë një orientim të duhur profesional dhe kështu të kemi një balans të numrit të studentëve në fakultete, kjo pasi që në mungesë të orientimit në karrierë kemi pasur një fokusim të madh të të rinjve në disa drejtime universitare e në disa të tjera deficit të numrit të studentëve”, tha Jashari.
Komuna e Skenderajt në vazhdimësi është duke përkrahur nxënësit dhe studentët me bursa, përkrahje e cila ka ndikuar në ngritjen e cilësisë dhe avancimit të tyre profesional.
Po ashtu janë duke u përkrahur të rinjtë edhe me trajnime të ndryshme profesionale si dhe me grante për realizimin e ideve të tyre kreative biznesore.
“ Bashkë me Ministrinë e Arsimit vitin që vjen do të ndajmë bursa për vajzat që ndjekin mësimin në drejtimet profesionale në komunën tonë, për të rritur motivin e tyre që përtej paragjykimeve të pa baza të orientohen në drejtime teknike- profesionale”, tha tutje Jashari.