Prekaz, 7 mars – Të gjitha rrugët e qytetit të çonin në një vend. Qytetarë të shumtë nga mbarë trevat shqiptare, kishin pikësynim Prekazin e Adem Jasharit, komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili 12 vjet më parë, bashkë me familjen e tij, ra heroikisht në mbrojtje të atdheut. Vendlindja e tij gumëzhinte të dielën në mbrëmje nga turma e madhe e njerëzve, për të marrë pjesë në “Natën e Zjarreve”, në kuadër të manifestim treditor “Epopeja e UCK-së”, i cili u organizua nën patronazhin e Kryeministrit të Republikës së Kosovës. Skena e ndërtuar në një lendinë të vogël përballë Kullës së Jasharëve, pak metra larg varrezave të dëshmorëve, ishte ndërtuar posaçërisht për Natën e Zjarreve. Në ballinë të saj ishte vendosur një pëlhurë e kuqe me portretin e Adem Jasharit, kurse përballë saj ishte rezervuar hapësira për t’u ulur familjet e dëshmorëve dhe personaliteteve të shquara. Në rendin e parë, ndodhej kryeministri Hashim Thaçi, i cili mbërriti pak minuta pasi u ndez zjarri i madh, vëllai i Adem Jasharit, Rifat Jashari dhe zyrtarë të tjerë. Masa e njerëzve reagoi me brohoritje kur nga Kulla e Jasharëve dolën 6 veta të veshur me uniformën e UCK-së, duke i pritur me duartrokitje. Flakadanët që mbanin në duar simbolizonin përhapjen e luftës nga Kulla e Adem Jasharit. Gjashtë të tjerë vinin nga bunkeri i famshëm i komandantit të UCK-së, i cili ndodhet në kodrinën e vogël të një mali përballë shtëpisë, dhe gjashtë të tjerë nga pjesa jugore e lagjes. Tre togjet, me 18 ushtarë me flakadan zjarri u bashkuan para varrezave, për t’i nderuar dëshmorët e kombit, në krye me Shabanin, Ademin, Hamzën dhe dëshmorët tjerë. Prapa skenës, në një lendinë të madhe, një sasie e madh e drunjve të lyer me lëndë djegëse, i është dhënë flaka për të krijuar zjarrin gjigant të manifestimit. I vetmi që mbajti fjalim në këtë natë, ishte Muharrem Xhemajli, kryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UCK-së. Ai tha se u bënë 12 vite që kur Ademi Jashari prehet në tokën e Kosovës, por asnjëherë nuk ke qenë më i gjallë se sot. “Armiku shekullor kurrë nuk arriti të vrasë shpirtin tënd liridashës. Vepra dhe sakrifica jote vetëm sa shtoi radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe rriti përmasat e luftës për liri. I nderuari komandant, nga të gjitha trojet shqiptare, sot u tubuam të qëndrojmë sa ma afër Teje, ashtu siç na porosite. Ne asnjëherë nuk vajtojmë për Ty”, tha nder tjera Xhemajli. Ai shtoi se të gjithë janë të vetëdijshëm së jemi në gjysmë të rrugës së aspiratave, por gjithnjë duke ecur përpara drejt realizimit të amanetit. “Gjithherë do të jesh frymëzim dhe krenari për gjithë brezat. Do të jetoni me lavdinë tuaj në zemrat tona”, u shpreh Xhemajli. Pas pjesës foljore, në skenë u thirrën të ngjiten pasardhësit e familjes Jashari. Pjesa artistike filloi me një valle të fëmijëve, të cilët e luajtën Shaban Jashari i ri, Adem Jashari i ri, Hamza Jashari i ri, Zahide Jashari e re dhe Feride Jashari e re, që të gjithë me veshje kombëtare. Nën tingujt e daulleve dhe brohoritjeve të publikut, përkundër të temperaturave të ulëta, pasardhësit e familjes e bënë më madhështore Natën e Zjarreve. Më pas në skenë doli Sala Jashari, një vogëlushe e cila bartë emrin e gjyshes së saj, një heroine tjetër të lagjes Jashari. Manifestimi ka vazhduar me këngë e valle, nën interpretimin e shumë këngëtarëve nga trojet shqiptare, si Shqipëria, Kosova e Maqedonia. Nata e Zjarreve, shënon edhe fundin e manifestimit tradicional, i cili filloi me 5 mars në kryeqytetin e Kosovës. Policia e Kosovës ka njoftuar së ka ndërmarrë të gjitha masat e duhura për të ofruar një siguri të rendit publik për të gjithë pjesëmarrësit në këtë manifestim.
Prekaz, 7 mars – Të gjitha rrugët e qytetit të çonin në një vend. Qytetarë të shumtë nga mbarë trevat shqiptare, kishin pikësynim Prekazin e Adem Jasharit, komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili 12 vjet më parë, bashkë me familjen e tij, ra heroikisht në mbrojtje të atdheut.