Skenderaj, 29 mars – Agjencia për Zhvillim Rajonal Veri (AZHRV), në bashkëpunim me ekspertë të EURED-it (Zhvillimi Ekonomik Rajonal i Bashkëkimit Evropian), kanë mbajtur punëtorinë për skemën e grandeve të Komisionit Evropian për Komunën e Skenderajt, në të cilën, përveç zyrtarëve të Zyrës Ndërlidhëse të BE-së në Kosovë, kanë marrë pjesë edhe përfaqësuesit e pushtetit lokal, komuniteti i biznesit dhe organizata joqeveritare.
Shemsedin Aliu, përfaqësues i AZHVR-së, ka thënë se qëllimi i takimit është të merren sa më shumë informata të nevojshme lidhur me skemën e grandeve dhe projekteve, me të cilat mund të aplikohet, si dhe udhëzimet e duhura.
Ndërkaq, Marie Doque, zyrtare e Zyrës Ndërlidhëse e BE-së, tha se agjencia ka hartuar strategjinë zhvillimore të rajonit për veriun e Kosovës (ku bëjnë pjesë Mitrovica, Vushtrria dhe Skenderaj), por akoma nuk është finalizuar. Sipas saj, atë do ta finalizojnë grupet që do të formohen në një të ardhme të afërt, dhe të cilën Bashkimi Evropian do t’i mbështesë financiarisht projektet e kësaj strategjie, me qëllim të zhvillimit ekonomik të rajonit. “Zhvillimi ekonomik është fokusi kryesor i kësaj strategjie.
Kjo skemë e grandeve, nuk është e lidhur drejtpërdrejtë me strategjinë, por sidoqoftë skemat të tjera të grandeve, në vitin e ardhshëm do të jenë drejtpërdrejtë të lidhura me këtë strategji”, ka thënë ajo, e cila, duke theksuar rëndësinë e strategjisë për zhvillim rajonal, i ka ftuar të gjithë aktorët relevant të marrin pjesë në hartimin e saj, ngaqë, siç arsyetoi ajo, “ashtu sikur grandet, edhe kjo ka të bëjë më zhvillimin ekonomik të vendit”.
Ajo tha se, aktualisht janë në fazën e identifikimit të projekteve, pas së cilës pasojnë fazat tjera, ajo e formulimit të tyre, vlerësimit dhe realizimit “Afati i fundit për dorëzimin të projekteve është 20 maji.
Në fund të këtij procesi do të kemi tri apo katër aplikacione për projekte nga komuna e Skenderajt, të cilat do të vlerësohen nga zyra jonë, dhe në muajin shtator do ta dimë së cili nga ai projekt do të financohet, dhe që nga atëherë do të fillojë implementimi i tyre”, ka thënë Doque. Sipas saj, grupi punues i AZHVR-së do të bëjë vlerësimin e projektit pasi të jetë implementuar ai, për të parë nëse është realizuar siç është paraparë. “Projektet të cilat nuk janë të formuluara mirë, do t’i ripërpunojmë, në mënyrë që të financohen në vitin e ardhshëm”, ka thënë ajo.
Zyra Ndërlidhëse e BE-së ka alokuar një shumë prej 1.5 milion euro për tri komunat e veriut, projektet e së cilave duhet të kenë vlerën nga 150 mijë euro deri në 500 mijë.
Skenderaj, 29 mars – Agjencia për Zhvillim Rajonal Veri (AZHRV), në bashkëpunim me ekspertë të EURED-it (Zhvillimi Ekonomik Rajonal i Bashkëkimit Evropian), kanë mbajtur punëtorinë për skemën e grandeve të Komisionit Evropian për Komunën e Skenderajt, në të cilën, përveç zyrtarëve të Zyrës Ndërlidhëse të BE-së në Kosovë, kanë marrë pjesë edhe përfaqësuesit e pushtetit lokal, komuniteti i biznesit dhe organizata joqeveritare.