Skenderaj, 9 maj – Me rastin e Ditës së Evropës, Komuna e Skenderajt, përkatësisht Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport në bashkëpunim me Zyrën për Integrime, kanë organizuar për dy ditë aktivitete të ndryshme argëtuese dhe sportive. Me 7 maj është zhvilluar një turne në futboll të vogël, në të cilin kanë marrë pjesë institucionet komunale, policore, shkollat dhe OJQ-të. Në mbrëmje është organizuar një koncert me këngëtarë lokalë, ndërsa aktivitetet në kuadër të shënimit të kësaj dite kanë përfunduar me mbjelljen e 28 fidaneve, duke simbolizuar 27 shtetet e BE-së dhe shtetin më të ri në botë, Kosovën.
Kryetari Sami Lushtaku, pas mbjelljes simbolike të fidanëve me rastin e ”9 Majit”, u shpreh se, derisa kjo ditë festohet në mbarë Evropën, edhe komuna që drejton i është bashkuar kësaj feste, përmes aktiviteteve të shumta argëtuese, sportive dhe mbjelljeve të fidanëve. “Jemi munduar ta bëjmë një hartë të Evropës me këta fidanë që simbolizojnë shtetet e BE-së, ndërsa fidani në mes simbolizon shtetin e Kosovës. Kemi dashtë që përmes këtyre 27 fidanëve të mbjella në rreth dhe fidanin e vetëm në mes, të tregojmë se edhe ne respektojmë BE-në, dhe dëshirojmë gjithashtu integrimin sa më të shpejtë të vendit tonë në familjen e madhe të BE-së”, ka theksuar Lushtaku, duke shtuar se këto ditë në qytet janë krijuar hapësira të gjelbëruara dhe janë mbjellë lule. “Unë me stafin tim i kemi kushtuar rëndësi dy gjërave: pastërtisë dhe gjelbërimit. Dëshirojmë që qyteti i Skenderajt të jetë qyteti më i pastër dhe mundësisht më i gjëlbëruari”, ka thënë i pari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku.
Skenderaj, 9 maj – Me rastin e Ditës së Evropës, Komuna e Skenderajt, përkatësisht Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport në bashkëpunim me Zyrën për Integrime, kanë organizuar për dy ditë aktivitete të ndryshme argëtuese dhe sportive.