Skenderaj, 4 tetor – Bletarë nga komunat e Prishtinës, Mitrovicës, Vushtrrisë dhe Skenderajt kanë ekspozuar të hënën në Skenderaj produktet e bletës në panairin tashmë tradicional të bletarisë “Skenderaj 2010”, të organizuar nga Shoqata e Bletarisë “Dramiqarja”, Komuna e Skenderajt, Pro Ctredit Bank dhe Grupi Lokal i Veprimit “Perspektiva”. Megjithëse mbetet një nder sektorët më fitimprurës të bujqësisë, fermerët ankohen në institucionet shtetërore se nuk e kanë ndihmuar aq sa duhet këtë degë.
Avdyl Gucati, kryetar i Shoqatës së Bletarëve “Dromqarja” nga Skenderaj, ka thënë se, deri më tani Komuna nuk e ka ndihmuar këtë sektor, edhe pse çdo vit ka premtime për një gjë të tillë. “Ministria e Bujqësisë ka premtuar se nga viti i ardhshëm do ta subvencionojë degën e bletarisë. Do të ishte mirë të subvencionohej ky sektor, sepse do të kishte rritur profitin por edhe numrin e njerëzve që merren me këtë fushë”, ka thënë Gucati, duke shtuar se Komuna e Skenderajt është duke bërë përpjekje që sektorit të bletarisë t’i dalë në ndihmë. Sipas tij, shoqata ka për qëllim t’i motivojë bletarët e vegjël që me aktivitet të shtuar të arrijnë në shkallë të lartë, dhe gradualisht të bëhen bletarë të mëdhenj. Ndërkaq, drejtori i Drejtorisë për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural në Skenderaj, Musa Lushtaku, ka thënë se mundësitë e autoriteteve të pushtetit lokal për të ndihmuar sektorin e bletarisë kanë qenë të vogla. “Mundësitë për të ndihmuar këtë sektor kanë qenë të vogla, mirëpo, sido qe të jetë, jemi munduar që sado pak ta ndihmojmë këtë degë të bujqësisë. “Në të kaluarën ka pasur projekte të vogla nga Minsitria e Bujqësisë dhe Komuna, por jo edhe aq shumë. Është vullneti për të zhvilluar këtë veprimtari dhe për të çuar përpara. Shpresoj që do të ketë në të ardhmen mbështetje edhe për bletarët e Skenderajt”, ka thënë Lushtaku. Ylli Zogiani, bletar nga Komuna e Fushë Kosovës, ka thënë se me këtë biznes merret që 20 vjet dhe në të është e përfshirë e tërë familja. Ai ka thënë se ka 250 shoqëri bletësh, për mbajtjen e të cilave kërkohet punë, ndërsa fitimi është i kënaqshëm. “Me këtë veprimtari merret e tërë familja dhe mund të them se jemi të kënaqur me fitimin, duke pasur parasysh çmimin për shitjen e një kilogrami mjaltë, që sillet nga 8 deri në 10 euro”, ka thënë ai, sipas të cilit një shoqëri bletësh prodhon 15 kg mjaltë. Kësisoj, n këtë panair, i cili po mbahet për të dytën herë më radhë në Skenderaj, përveç bletarëve lokalë, kanë marrë pjesë Shoqata e Bletarëve “Bleta” nga Prishtina, “Ëma” nga Vushtrria”, bletarë nga Fushë Kosova e të tjerë.