Skenderaj, 27 tetor – Në praninë e përfaqësuesve të pushtetit lokal të Skenderajt, Mitrovicës dhe Vushtrrisë, të zyrtarëve të OSBE-së, përfaqësuesve të KFOR-it, Policisë së Kosovës, përfaqësuesve të pakicave kombëtare (serbë, romë, ashkalijn), dhe të ftuarve të tjerë, të mërkurën në sallën e mbledhjeve të Këshillit të Drejtorëve është promovuar Katalogu i mekanizmave korrigjues dhe ndihmës për pjesëtarët e komuniteteve, të cilin e ka botuar OSBE-ja në Prishtinë në bashkëpunim me organizatat e tjera që promovojnë të drejtat e pjesëtarëve të komuniteteve në Kosovë. Monica Llamares, zyrtare e lartë pranë Zyrës Qendrore të OSBE-së në Prishtinë, Departamenti për të Drejtat e Njeriut dhe Komuniteteve, ka thënë se katalogu është një mjet që bashkon të gjithë, institucionet dhe qytetarët, për realizimin e të drejtave të komuniteteve në vend. Ajo ka thënë se Zyra për Komunitete në qendër në bashkëpunim me Zyrën Rajonale në Mitrovicë vazhdimisht promovojnë të drejtat e komuniteteve që jetojnë në Kosovë. Qëllimi i këtij katalogu, sipas saj, është që t’i sigurojë secilit qytetar të Kosovës informacione të mjaftueshme mbi atë se çfarë duhet bërë në rast se ai ka ndonjë brengë apo ankesë lidhur me respektimin e të drejtave themelore. "Në këtë katalog përfshihen të dhënat e sakta të institucioneve që merren me promovimin e të drejtave të komuniteteve, ku ju mund t’i adresoni shqetësimet tuaja në rast se konsideroni se nuk respektohen të drejtat", ka thënë Llamares. Ndërkaq, në emër të Komunës së Skenderajt, foli kryesuesi i Kuvendit Komunal, Ismet Salihu, i cili lavdëroi punën e OSBE-së me rastin e botimit të Katalogut të mekanizmave korrigjues dhe ndihmës për pjesëtarët e komuniteteve. Kryesuesi ka thënë se në Kushtetutën e Republikës së Kosovës ndodhet Pakoja e Ahtisarit, e cila komuniteteve në vend iu ofron të drejta suplementare, e të cilat nuk ekzistojnë as në vendet më demokratike të botës. Ai tha se OSBE-ja dhe institucionet e tjera do t’i ndihmojnë komunitetet që përmes këtij katalogu dhe mekanizmave të tjerë t’i realizojnë të drejtat, që janë të shkruara edhe në Kushtetutën e Republikës së Kosovës. "Komuna e Skenderajt, komunitetin serb dhe rom, të cilët ndodhen në strukturën e popullatës, është duke bërë gjithçka që të drejtat e tyre, të cilat i takojnë me Kushtetutë, t’i realizojnë, nëse edhe ata kanë disponimin për t’i realizuar ato.", ka thënë Salihu, duke shtuar se ky katalog do t’iu ndihmojë komuniteteve në vend t’i realizojnë të drejtat e tyre. Katalogu i mekanizmave korrigjues dhe ndihmës për pjesëtarët e komuniteteve katalog është i botuar në pesë gjuhë: në gjuhën shqipe, serbishte, rome, boshnjake dhe në gjuhën angleze. Skenderaj, 27 tetor – Në praninë e përfaqësuesve të pushtetit lokal të Skenderajt, Mitrovicës dhe Vushtrrisë, të zyrtarëve të OSBE-së, përfaqësuesve të KFOR-it, Policisë së Kosovës, përfaqësuesve të pakicave kombëtare (serbë, romë, ashkalijn), dhe të ftuarve të tjerë…