Ministri i Arsimit, Enver Hoxhaj, ka thënë se kjo shkollë është dhurata më e mirë që një shtet mik i bën një vendi mik, siç është Kosova. “Kur e hapëm këtë shkollë në Skenderaj, tregon se sa rrugë të gjatë është dashtë të kalohet për të ardhur deri këtu ku jemi, se sa shumë gjak, lot dhe djersë është derdhur. Pa mbështetjen e miqve tanë, nuk do të ishte kjo shkollë, e as shteti i Kosovës. Pa miqtë tanë, një pjesë e madhe e jona ka mundur të jetë refugjatë në ndonjë vend të rajonit, e të tjerët në male duke vazhduar luftën për liri. Mirëpo kjo shkollë që ndërtohet në një qytet që është simbol i çlirimit, ky qytet sot me këtë shkollë do të jetë simbol i edukimit në Kosovë. Kjo shkollë synon ta ndryshojë misionin e arsimit në vendin tonë”, ka thënë Hoxhaj. Ministri i Arsimit në Kosovë, ka shtuar se shkolla në fjalë është lidhja më e mirë e të rinjve të Skenderajt dhe të Kosovë në përgjithësi me tregun e punës. Këtë investim të Qeverisë së Norvegjisë në Skenderaj, ministri e quajti më të mirin që ka ndodhur në Kosovë në dhjetë vjetët e fundit. “Të nderuar të pranishëm, sot e kësaj dite mbajeni kokën lart për këtë shkollë më moderne në Ballkan, dhe sot e kësaj dite shihni këtë shkollë si institucionin më të fuqishëm të shpresës, të besimit dhe të optimizmit të Republikës së Kosovës”, ka thënë ministri Hoxhaj. Në emër të Komunës së Skenderajt, foli kryetari Sami Lushtaku, i cili falënderoi ambasadorin Kvale dhe qeverinë e shtetit të tij për këtë investim të madh. Ai tha se kjo shkollë është shumë domethënëse dhe e rëndësishme. “Kam një kërkesë për drejtorin e kësaj shkolle, profesorët dhe nxënësit, që ta ruajnë këtë shkollë, të mësojnë, dhe dëshiroj që nga kjo shkollë të dalin kuadro që t’i shërbejnë vetvetes, dhe jo vetëm qytetarëve të Skenderajt, por gjithë vendit”, ka thënë Lushtaku, duke shtuar se në Qendrën Kompetente të Ndërtimtarisë do të kenë mundësi dhe rast të mësojnë nxënësit e të gjitha viseve të Kosovës. Ai i dhuroi ambasadorit Kvale një medalje me stemën e Komunës së Skenderajt në shenj falënderimi për ndërtimin e shkollës.
Drejtori i Drejtorisë për Arsim në Skenderaj, Jashar Lushtaku, ka thënë se jo të gjitha punët kanë përfunduar në Qendrën Kompetente të Ndërtimtarisë (QKN). Siç tha ai, kanë përfunduar ato punë që mundësojnë zhvillimin e procesit mësimor në aspektin teorik me nxënës. Sipas tij, numri i nxënësve është i kënaqshëm, pasi deri më tani janë regjistruar 230 nxënës, që për vitin e parë është numër i konsiderueshëm. “Interesimi ka qenë i mirë si në nivel komunal po ashtu edhe nga vendet tjera të rajonit, ndërkaq personeli arsimor përbëhet nga 30 vetë”, ka thënë Lushtaku, duke shtuar se infrastruktura përcjellëse është në përfundim e sipër. I pyetur se nëse objekti është i gatshëm që tani për nxënësit e gjeneratës së parë, drejtori tha: “Do të shohim me grupin koordinues nga Norvegjia dhe MASHT-i se a do të mund të fillojë sot mësimi teorik në klasat të cilat janë të përgatitura, por për shkak të sigurisë së nxënësve, pasi punët janë duke u zhvilluar jashtë objektit, mund të presim për një ditë tjerë të afërt”. Qendra Kompetente e Ndërtimtarisë është e para e llojit të vet, jo vetëm në Kosovë, por edhe në Rajonin e Ballkanit. Për ndërtimin e saj, Qeveria e Norvegjisë ka ndarë afro 4 milion euro.
Skenderaj, 9 nëntor – Ndonëse jo e përfunduar në tërësi, Shkolla e Mesme Profesionale, e njohur si Qendra Kompetente e Ndërtimtarisë në Skenderaj, një investim prej 4 milionësh të Qeverisë së Norvegjisë, është përuruar të martën me një ceremoni në të cilën kanë marrë pjesë zyrtarë të lartë të shtetit norvegjez, ministri i Arsimit Enver Hoxhaj…