Gjatë tri mbrëmjeve, vlerat artistike të folklorit burimor shqiptar do t’i shfaqin 32 grupe dhe rapsodë nga të gjitha trojet shqiptare: Shqipëri, Maqedoni, Medvegjë, Mali i Zi dhe Kosovë. Drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport në Skenderaj, Feriz Zeqiri, nën patronazhin e të cilit organizohet ky festival, ka thënë se, sot, 12 vjet pa luftës, kur akoma po vazhdojmë t’i shërojmë plagët e vuajtjes dhe sakrificës, është kënga ajo që përpiqet të ledhatojë lirinë tonë të shtrenjtë, të paguar me çmimin më të lartë dhe më sublim. "është pikërisht kënga që sonte në këtë vend, në Skenderaj, në Drenicë, i bashkon rapsodët nga të gjitha trojet shqiptare, për të na bërë të qartë, se sa afër ndodhemi pranë njëri-tjetrit, dhe se arti dhe kultura gjithëshqiptare janë një dhe të pandshme; është kënga ajo që nuk na lejon të harrojmë të djeshmen, është kënga ajo që do të na mbajë të gjallë kureshtjen tonë për tri net më radhë, sa do të zgjasë ky festival, tanimë tradicional", ka thënë ndër tjera Zeqiri. Ai kujtoi se Festivali Gjithëkombëtar i Folklorit "Rapsodia Shqiptare" ka filluar të mbahet që nga viti 2003 dhe është tradional. Çmimi kryesor i festivalit është çmimi "Kulla e Jasharëve", me të cilin emër lidhen gjëra të rëndësishme, si: kulla e qendresës, kulla e lirisë, kulla e formimit të UÇK-së, kulla e komandantit legjendar të UÇK, Adem Jashari, kulla e Hamzë Jasharit, i cili përveç që ishte atdhetar i paepur, ishte edhe rapsod dhe aktor në SHKA "Drenica", tha Zeqiri, duke konstatuar se logo e festivalit është pikërisht portreti i Hamzës. Festivalin, me një fjalë rasti e përshëndeti edhe kryetari i komunës, Sami Lushtaku.
Juria, e cila do t’i vlerësojë këngët është në këtë përbërje: Naim Gjoshi, kompozitor dhe autor këngësh -kryetar, Minire Fetahu, redaktore e muzikës në Radiotelevizionin e Kosovës dhe Xhevdet Gashi, kompozitor.
Këtë festival e kanë mbështetur Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve e Republikës së Kosovës, e cila ka ndarë 2 mijë euro, dhe Hekurudhat e Kosovës 1 mijë euro, ndërkaq pjesën tjetër do ta sigurojë Komuna e Skenderajt.
Sponsorë medialë janë RTK dhe Radio Drenica.
Skenderaj, 26 nëntor – Ka filluar të premten edicioni i gjashtë i Festivalit Folklorik Gjithëkombëtar "Rapsodia Shqiptare-Skenderaj 2010", i cili mbahet në shënim të datave të rëndësishme të historisë shqiptare: ngritja e Flamurit në Krujë, shpallja e pavarësisë së Shqipërisë, ditëlindja e komandantit legjendar të UÇK, Adem Jashari dhe paraqitja e parë publike e UÇK-së