Megjithëse ceremonia ishte organizuar me rastin e përurimit të urës, gazetarët për të kishin fare pak interesim. Ata shfrytëzuan praninë e gjeneralit Buhler për ta pyetur rreth raportit të raportuesit në Këshillin e Evropës, Dick Marty, i cili e ka akuzuar rëndë kryeministrin kosovar. I pyetur se si e komenton këtë raport, gjenerali gjerman u shpreh se, përderisa mbi tavolinë nuk ka dëshmi, për KFOR-in secili mbetet i pafajshëm. Megjithëkëtë, Bühler ka thënë se raporti u ka bërë dëm njerëzve. “Përderisa nuk ka dëshmi mbi tavolinë, për ne është gjithsecili i pafajshëm, kështu që në bashkëpunimin tonë nuk ndryshon asgjë. Më vjen keq për dëmet që u janë bërë njerëzve nga ai raport, pasi nga perceptimi që kemi përfituar nga shtypi ndërkombëtar, raporti nuk i kontribuon imazhit të Kosovës. Ajo që është raportuar, janë thashetheme që dihen vite më radhë”, ka thënë komandanti i KFOR-it. Ai ka shtuar se, KFOR-i bashkëpunon shumë ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in, dhe në qoftë se do të ketë dëshmi, do t’i dorëzohen policisë së vendit, mirëpo ai ka ritheksuar se përderisa nuk ka dëshmi, atëherë vlen pafajësia. “Ai raport ose është i vërtetë ose nuk është i vërtetë, dhe nëse është i vërtetë atëherë duhet të ketë dëshmi”, ka shtuar Buhler. Ndërkaq, i pyetur se kush ka bërë krime në Kosovë, komandanti i KFOR-it ka thënë se shqiptarët e dinë më mirë se ai kush ka bërë krime. “Nuk kemi arsye të flasim për të kaluarën, është e rëndësishme që çdo konflikt të vështrohet në mënyrë objektive”, ka theksuar komandanti Erhard Bühler, në ceremoninë e përurimit të urës në fshatin Llaushë të Skenderajt. Sipas njërit nga oficerët përgjegjës për ndërtimin e kësaj ure, ura është ndërtuar nën kushte tepër të vështira atmosferike nga ushtarët e KFOR-it, brenda 8 ditëve. “Urën e kemi rinovuar komplet, duke i vendosur tri shtresa të drurit, ndërsa korniza e urës është me shtylla të metalta. Vlera totale sillet diku rreth 5 mijë euro, ndërsa pesha që përballon është 50 ton”, ka thënë njëri nga oficerët. Mirëpo, disa banorë të Lajges Vojvoda të fshatit Llaushë, nuk janë shprehur shumë të entuziazmuar me urën e rinovuar. Ata kanë thënë se një urë e tillë është ndërtuar nga KFOR-i edhe para një viti e gjysmë, por është dëmtuar, pasi ishte ndërtuar me dërrasa. Banorët janë shprehu skeptikë së ura do të ketë jetë të gjatë, pasi mund të dëmtohet nga ndikimet atmosferike, si dhe nga peshat e rënda.
Skenderaj, 20 dhjetor – Në një ceremoni rasti në të cilën po merrte pjesë komandanti i KFOR-it, gjenerali Erhard Bühler dhe kryetari i Komunës së Skenderajt Sami Lushtaku, të hënën në fshatin Llaushë të komunës së Skenderajt është përuruar një urë druri, të cilën e kanë ndërtuar pjesëtarët e KFOR-it francez.