Të gjithë ata fermë, të cilët kanë mbjellë me grurë me tepër së dy hektarë tokë, do të ndihmohen nga kjo ministri me nga 100 euro. Sipas shënimeve zyrtare të Drejtorisë për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural (DBPZhR) në Skenderaj, këtë vit në të gjithë territorin e komunës janë mbjellë me grurë mbi 7 mijë hektarë. Sabit Ferizi, shef i Sektorit për Bujqësi, ka thënë se numri aktual i kërkesave të fermerëve, për subvencionim të grurit, është mbi 1 mijë. “Kërkesat për subvencionim të grurit janë të mëdha, mbi njëmijë, ndërsa deri me 30 dhjetor, kur edhe përfundon afati për aplikim, pritet që ky numër të arrijë në rreth 1500, pasi që shumë fermerë kanë mbjellë sipërfaqe të mëdha me grurë, pikërisht duke besuar dhe duke shpresuar në realizimin e vendimit të Qeverisë së Kosovës për subvencionim të sipërfaqeve të tokës të mbjella me grurë”, thotë Ferizi. Sipas këtij të fundit, për subvencionim MBPZhR-ja ka vendosur të ndajë nga 100 euro për të gjithë ata fermerë të cilët kanë mbjellë dy hektarë e më shumë. Ndonëse, shumë fermerë të kësaj komune sivjet kanë mbjellë me grurë më shumë se 5 hektarë, pakoja subvencionuese e Ministrisë së Bujqësisë do t’i përfshijë të gjithë bujqit njësoj. “Ka fermerë që kanë mbjellë edhe më tepër se 7-8 hektarë me grurë, por që në subvencionim përfshihen vetëm ata fermerë, që kanë mbjellë dy hektarë e më tepër me grurë. Sigurisht që subvencionimi do të jetë ndihmë e madhe për ata që kanë vendosur t’i mbjellin sipërfaqet e tokës me grurë”, ka shtuar Ferizi. Qeveria e Republikës së Kosovës, përkatësisht Ministria e Bujqësisë edhe sivjet është përkujdesur për të mirën e atyre që kontribuojnë për sigurimin e bukës. Siç tha Ferizi, tokat tona, jo vetëm në komunën e Skenderajt, por në gjithë vendin, mund të sigurojnë bukë për gati 80 për qind të nevojave të qytetarëve, por gjithsesi që ato nuk mund të lihen djerrinë, por të punohen”. Ai ka thënë se, është e kuptueshme që fermerët ankohen për çmime të larta të farërave, plehrave artificial dhe imputove tjera, mirëpo për bukën ia vlen të investohet. Ferizi shprehet i sigurt se, me ndihmën e institucioneve shtetërore, sigurisht që Kosova nuk do të ketë krizë për të siguruar bukën e vet, pa pasur nevojë importimin nga jashtë të grurit dhe miellit. Në këtë mënyrë, në gjithë territorin e Republikës së Kosovës mendohet të jenë mbjellë me grurë mbi 70 mijë hektarë sipërfaqe tokësore.
Skenderaj, 27 dhjetor – Fermerët e komunës së Skenderajt do ta përmbyllin vitin 2010 në mënyrën më të mirë të mundshme, pasi Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZhR) në Republikën e Kosovës, ka subvencionuar për mbjellje të grurit.