Beqir Bejta, një veteran i arsimit në këtë komunë, foli për zgjedhjet e 12 dhjetorit dhe manipulimet që janë bërë, duke i vlerësuar ata që manipuluan me votën e qytetarit, si njerëz që kanë dëmtuar rëndë imazhin e gjithë Drenicës. Një qytetar tjetër, Shpat Murtezaj, ka pyetur drejtuesit e Komunës për rrugën që lidh Lagjen “Murtezaj” me pjesën tjetër të qytetit, e cila nuk ka përfunduar. Edhe Ramiz Shala, banor i Lagjës III të qytetit, duke komentuar mungesën e drejtorit të Drejtorisë së Arsimit në Skenderaj, Jashar Lushtaku, ka thënë se nga ai do të kërkonte shpjegime rreth gjendjes në arsim, të cilën e ka cilësuar si jo të mirë, sidomos sa i përket menaxhimit dhe politikës së cështës së punësimit nëpër shkolla. “Pse ai nuk është prezent në mbledhje. Nuk është asgjë më i rëndësishëm sesa drejtorët e tjerë, të cilët janë këtu dhe të cilët kanë treguar rezultate shumë të mira në punë”, ka pyetur Shala. Në anën tjetër, nënkryetari i Skenderajt, Fadil Nura, ka thënë se gjendja në arsim në vitin që tashmë e kemi lënë pas, nuk ka qenë asnjë herë më e mirë. Ndërkaq, drejtori i Drejtorisë për Urbanizëm dhe Ambient, Hasan Shala, duke u përgjigjur në pyetjen e Shpat Murtezajt, ka thënë se rruga “Rasim Kiçina” do të vazhdojë të ndërtohet sipas Planit Zhvillimor dhe atij Urban të qytetit. Sipas tij, prioritet i Komunës është rruga me katër shirita qarkullues nga fshati Marina e deri në fshatin Klinë e Epërme, e cila kalon nëpërmjet Lagjes III të qytetit. Drejtori Shala ka thënë se Komuna do t’i kërkojë mbështetje financiare Ministrisë së Transportit dhe Post-Telekomunikacionit të Kosovës, pasi projekti ka kosto të lartë.
Skenderaj, 31 dhjetor – Pak qytetarë kanë marrë pjesë në mbledhjen me qytetarë, e njohur si mbledhja publike, që është mbajtur në ditën e fundit të vitit që lamë pas. Kishte të atillë që mbledhjen publike e shfrytëzua për diçka tjetër.