Për këtë seancë ishte propozuar ky
R E N D D I T E
1. Fjala hyrëse
2. Kërkim falje për mungesë
3. Shqyrtimi i procesverbalit nga mbledhja e kaluar (25.11.2010)
4. Pyetjet e këshillëtarëve në pikën të ndryshme në seancën e kaluar
5. Rekomandimet e KPF-së
6. Raport pune Janar-Dhjetor 2010 raporton Kryetari i Komunës
7.Propozim vendim për shpalljen e interesit të përgjithëshem për shpronësimin e
pronave të paluejtëshme qytetare në zonat kadastrale në Klinë të Poshtëme ,Klinë të
Mesme dhe Klinë të Epërme me qellim të rekonstruimit gjegjësisht vendosjës se
shtyllave të reja elektrike të tensionit të lartë nëpër këto fshatra raporton drejtori Halim
Gecaj ( materiali i bashkëngjitur)
8. Propozim vendim për ndryshimin e Vendimit të Asamblesë Komunale nr. 463-113 të
datës 05.05.2008 sipas të cilit është berë bartja administrative e drejtës se shfrytëzimit
të tokës në pronën shoqërore nga Zona e parë e Trupave Mbrojtëse të Kosovës për
nevojat e kësaj Komune dhe i është dhënë në shfrytëzim ‘TEHNOPOLISIT’nga
Sllovenia për ndërtimin e Qendrës së Biznesit në Skenderaj raporton
9. Të ndryshme .
Këshilltarët e Asamblesë Komunale të Skenderajt, në mbledhjen e së hënës, e para për këtë vit, kanë miratuar me disa vërejtje raportin e punës së ekzekutivit për vitin e kaluar. Ata kanë përgëzuar ekzekutivin për të arriturat gjatë vitit të kaluar, por kishin edhe vërejtje që kishin të bënin me punën e disa drejtorive komunale. Këshilltari Hajriz Koci, nga radhët e PDK-së, pyeti drejtorin e Drejtorisë për Shëndetësi e Mirëqenie Sociale se cilat janë arsyet e largimit të më shumë së 400 familjeve nga skema sociale. Ai mbeti i kënaqur me përgjigjen drejtori Osman Veliu, se arsyet që kanë çuar në largimin e familjeve nga skema sociale, kanë të bëjnë me faktin se ato nuk kanë bërë riaplikim, ose kanë përmirësuar gjendjen ekonomike nga viti 2009. Megjithëkëtë, Veliu ka thënë se numri i përgjithshëm i familjeve të Skenderajt që përfitojnë asistencën sociale, është rreth 1800. Këshilltari tjetër nga PDK–ja, Zair Imeri, duke iu referuar raportit të punës së Drejtorisë për Ekonomi, Financa e Zhvillim, ka thënë se të hyrat në vitin 2010 kanë shënuar rënie krahasuar me vitin paraprak. Shqetësim tjetër i Imerit ishte edhe çështja e rënies së të hyrave nga renta që, sipas të cilit, Komuna nuk ka arrit të grumbullojë mjete gjatë vitit 2010, me përjashtim të dy muajve të parë të vitit. Ndërkaq, këshilltarja Albana Abazi (PDK), foli mirë për raportin e punës të ekzekutivit, por kishte disa vërejtje sa i përket fshatit Turiqefc. Duke u ndërlidhur me komentimin e saj se në Bashkësinë Lokale të Turiqefcit, Komuna nuk ka investuar asgjë, kryesuesi i Asamblesë, Ismet Saliu, ia kujtoi ndërtimin e shkollës fillore dhe rregullimin e infrastrukturës rrugore në këtë fshat. Ndërkaq, kryetari i Komunës, Sami Lushtaku, ka thënë se raporti i punës për vitin e kaluar, përveçse tregon sukseset që ka arritur pushteti gjatë vitit 2010, mund të ketë edhe mangësi. Ai ka thënë se në Turiqefc është ndërtuar shkolla e re, është përmirësuar infrastruktura rrugore, si dhe janë zhvilluar edhe disa projekte të tjera, megjithëse, siç tha ai, akoma ka probleme, jo vetëm në këtë fshat. Ai ka përmendur raportin e USAID-it, i cili e nxjerr Skenderaj në krye të komunave të Kosovës sa i përket ofrimit të shërbimeve të qytetarëve. Këshilltari Kadri Osaj (PDK), pyeti drejtorin e Arsimit për numrin e analfabetëve në gjithë komunën e Skenderajt. Në përgjigjen e tij, drejtori i Arsimit, Jashar Lushtaku, ka thënë se DA-ja nuk bën analiza të tilla, por bën analiza rreth mosvijimit të mësimit, problem ky që sipas tij, është i theksuar më shumë tek shkollat e mesme. Delegatët, të cilët kishin edhe pyetje të tjera, miratuan raportin e punës së ekzekutivit për vitin 2010. Ata gjithashtu kanë miratuar propozim-vendimin e Komitetit për Politikë e Financa, për shpalljen në interes të përgjithshëm për shpronësim të pronave të paluajtshme qytetare në zonat kadastrale Klinë e Poshtme, Klinë e Mesme dhe Klinë e Epërme, me qëllim të vendosjes së shtyllave të tensionit të lartë. Sqarime shtesë në këtë pikë bëri drejtori i Drejtorisë për Gjeodezi dhe Kadastër, Halim Geci. Në fund të mbledhjes, këshilltarët kanë miratuar edhe propozimin-vendimin e KPF-së për ndryshimin e vendimit të Asamblesë Komunale, sipas të cilit, është bërë bartja administrative e së drejtës së shfrytëzimit të tokës në pronën shoqërore nga ish-Zona e Parë e TMK-së, ku është duke u ndërtuar Parku Teknologjik "Tehnopolis" nga Celja e Sllovenisë.
Skenderaj, 31 janar – Në bazë të nenit 37 të Statutit tëKomunës së Skenderajt , Rregullores mbi mbajten e mbledhjeve dhe në pajtimin më rregullat e procedures,u mbajt mbledhja e parë e Kuvendit Komunal për vitin 2011…