Nënkryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura, i cili është edhe kryesues i Komisionit Komunal për Regjistrim, ka thënë se komisioni, i formuar sipas Ligjit për regjistrim të popullsisë, ka shpallur këtë të hënë konkursin për 22 kontrollorë, ndërsa do të jetë i hapur deri me 18 të këtij muaji. Anëtarë të komisionit komunal janë: nënkryetari i Skenderajt, i cili kryeson komisionin, Ismet Aliu drejtor i Drejtorisë për Ekonomi dhe Financa, Osman Veliu drejtor i Drejtorisë për Shëndetësi, Jashar Lushtaku drejtor i Arsimit, Musa Lushtaku drejtor i Bujqësisë, Halim Gecaj drejtor i Gjeodezisë, Besarta Dibrani nga shoqëria civile, Nedelko Kovaqevic shef i Zyrës Lokale të Komuniteteve dhe Nazmi Shaqiri nga niveli qendror. “Komisioni ka shpallur konkursin me 7 shkurt për kontrollorët dhe do të jetë i hapur deri me 18 shkurt, në bazë të kritereve të nivelit qendror. Pasi të përfundojë faza e përzgjedhjes së kontrollorëve, do të vazhdojë trajnimi i tyre për 5 ditë, kurse me datë 21 do të shpallet konkursi për 136 regjistrues terreni. Kontrollorët e trajnuar do t’i trajnojnë pastaj regjistruesit e popullsisë, ndërsa çdo kontrollor nën mbikëqyrje do të ketë nga 6 regjistrues. Detyrat e tyre kanë të bëjnë me procesimin e të dhënave, kurse nivelit qendror do t’i raportojë në baza ditore për gjithë ecurinë e regjistrimit”, ka thënë të martën nënkryetari i Skenderajt, Fadil Nura. Sipas udhëzimeve të Zyrës qendrore të regjistrimit të popullsisë, përgatitja e kontrollorëve duhet të jetë superiore, për faktin se i përgjegjësia e procesit të regjistrimit do të jetë mbi ta, si dhe do t’u mbajnë trajnime regjistruesve të terrenit. “Shpresojmë se deri me 1 prill, kur nis edhe zyrtarisht regjistrimi i popullsisë, komisioni komunal do t’i përfundojë të gjitha punët që i takojnë”, ka thënë kryesuesi i Komisionit Komunal për Regjistrim. Ai ka bërë të ditur se lista me emrat e kontrollorëve, që i propozon komisioni, do t’i dërgohet nivelit qendror, i cili edhe e miraton, ndërsa regjistruesit i takon komisionit komunal t’i përzgjedh.
Skenderaj, 8 shkurt – Çdo gjë duket të jetë gati për të nisur faza e parë e projektit për regjistrimin e popullsisë, i cili zyrtarisht fillon me 1 prill me kohëzgjatje prej 15 ditësh…