Drejtori i Drejtorisë për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural (DBPZHR), Musa Lushtaku, duke folur rreth projektit, ka thënë se ai financohet nga Komisioni Evropian (KE), që ka për qëllim që t’i ndihmojë komunat e Kosovës me projekte të drejtpërdrejta, në kuadër të zhvillimit ekonomik të vendit tonë. Lushtaku ka thënë se të drejtën e konkurrimit e kanë pasur të gjitha komunat e regjionit veri të Kosovës (Mitrovica, Vushtrria, Skenderaj dhe komunat e tjera serbe të veriut), mirëpo projekti i Skenderajt është zgjedhur si më atraktivi. “Ne kemi konkurruar me projektin e Qendrës për Biznes Familjar, mirëpo duhet të kemi parasysh se ky projekt është në nivel të regjionit, çka do të thotë se përfituese janë edhe komunat e tjera të veriut. Projekti ka vlerë prej 421 mijë eurove dhe ai do të zhvillohet në disa faza, ndërsa kohëzgjatja e tij është 23 muaj”, ka thënë drejtori i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural për Skenderaj, Musa Lushtaku. Për hapjen e kësaj qendre, sipas Lushtakut, Komuna është përcaktuar për objektin e Shtëpisë së Kulturës “Hasan Prishtina”, në të cilën do hapen zyrat që do të jenë në funksion të Qendrës së Biznesit Familjar, si dhe do të zhvillohen trajnime të ndryshme për ata që synojnë të hapin biznese. “Ne jemi përcaktuar për Shtëpinë e Kulturës “Hasan Prishtina”, në të cilën, në kuadër të Qendrës së Biznesit Familjar, do të zhvillohen trajnime të ndryshme, pastaj dy zyra do të jenë në funksion të saj. Përveç kësaj, është paraparë edhe rinovimi i sallës së trajnimeve, zyrat do të pajisen me inventarë të nevojshëm si dhe do të rregullohen nyjet sanitare të Shtëpisë së Kulturës. Vlera totale e këtij rinovimi është 65 mijë euro”, ka bërë të ditur ai. Sipas drejtorit Lushtaku, qëllimi kryesor i Qendrës së Biznesit Familjar është hapja e 10 bizneseve të reja, të cilat do të ndihmohen me nga 10 mijë euro secila, të cilat do të mundësojnë hapjen e vendeve të reja të punës. “Duke pasur parasysh se kjo qendër do të jetë në shërbim edhe të komunave të tjera të regjionit, ne kemi obligim ndaj Mitrovicës dhe Vushtrrisë, të cilat kanë të drejtën e hapjes së bizneseve në territoret e tyre, kurse trajnimet e nevojshme do të mund t’i kryenin në qendrën tonë”, ka thënë Lushtaku, për të shtuar se në 150 mijë euro janë paraparë të dedikohen për trajnime të të gjitha lëmenjve, trajnime për gjuhë të huaja, etj, për bizneset që do të hapen. Sipas tij, arsyeja pse në mesin e të gjitha komunave të regjionit verior të Kosovës është zgjedhur projekti i Skenderajt për t’u financuar, ka qenë për shkak se i ka plotësuar kriteret e parapara nga Zyra Ndërlidhëse e Komisionit Evropian. Realizimi i projektit, sipas Lushtakut, do të mbikëqyret nga dy persona: një koordinator që nuk do të jetë nga komuna e Skenderajt, dhe një financier, i cili do të merret me kontabilitetin dhe çështjet e tjera financiare të projektit.
Skenderaj, 9 shkurt – Komuna e Skenderajt ka fituar një projekt në vlerë prej 421 mijë eurove, i quajtur Qendra e Biznesit Familjar, nga Agjensioni për Zhvillim Rajonal Veri (AZHVR), në kuadër të Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian, me çka synohet të hapen 10 biznese familjare, të cilat besohet se do të gjenerojnë vende të reja pune dhe rrjedhimisht të zbutet papunësia tepër e madhe…