Delegacioni më pas ka vazhduar për në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, ku ka vënë kurora te varri i Adem Jasharit, familjes së tij dhe të rënëve tjerë të lagjes Jashari, për të përfunduar aktivitetet përkujtimore në Kompleksin Memorial në fshatin Marinë. Për nder të trevjetorit të Kosovës shtet të pavarur dhe sovran, është mbajtur edhe një seancë solemne e Asamblesë Komunale. Ndërkaq, nën organizimin e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, në sheshin e qytetit është organizuar një koncert, në të cilin kanë marrë pjesë këngëtarë të estradës kosovare.
Në trevjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, në Prekaz të Drenicës të enjten kanë qëndruar zyrtarë të lartë të shtetërorë, ushtarakë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), delegacione komunash, shoqata të dala nga lufta, zyrtarë të partive politike dhe qytetarë nga anë të ndryshme të vendit, ku kanë bërë homazhe dhe janë përulur para varrit të komandanti të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari, familjes së tij dhe të rënëve tjerë. Presidenti në detyrë i Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, pasi vuri kurorë me lule mbi varrin e Adem Jasharit, tha se në Prekaz ka filluar kthesa e madhe e historisë, këtu është bërë sakrifica më e madhe dhe më unike, për të qenë vend i lirë, për të qenë popull i lirë. “Lirisht mund të themi se këtu është shtrati i pavarësisë, e cila është formalizuar me 17 shkurt të vitit 2008. Prandaj kjo është festë kombëtare, festë të cilën popujt e kanë vetëm një herë dhe një ditë”, ka thënë ai. Krasniqi ka thënë se Prekazi duhet të vizitohet sa herë që kombi ka vështirësi, për të marrë energji dhe për të ecur më tej. “Shfrytëzoj rastin që të gjithëve t’ju urojë këtë ditë, duke iu dëshiruar fat dhe mbarësi”, ka thënë presidenti, i cili ka qëndruar edhe në Kullën e Familjes Jashari, ku është pritur nga vëllai i madh i Ademit, Rifat Jashari. Ky i fundit, duke i uruar qytetarët për Ditën e Pavarësisë, ka bërë thirrje që të punohet për të mirën e vendit dhe qytetarëve të tij. Edhe kryeministri në largim, Hashim Thaçi ka bërë homazhe në Kompleksin Përkujtimor “Adem Jashari” në Prekaz. Pas nderimeve, ai ka thënë se emri, jeta dhe vepra e komandantit legjendar Adem Jashari, ndërlidhet drejtpërdrejt me udhëheqjen e tij në luftën për liri, për çlirimin e vendit, emri dhe vepra i tij ka bashkuar shqiptarët. “Të gjithë qytetarët e Kosovës janë çlirimtarë, çdo qytetarë duhet të ndihet mirë dhe shumë krenar për atë që është arritur gjatë këtyre 12 vjetëve të fundit, me fitimin e lirisë, shpalljen e Kosovës shtet i pavarur dhe sovran, me njohjet ndërkombëtare, me fillimin e zhvillimit ekonomik, gjithashtu me rritjen e mirëqenies sociale”, ka thënë kryeministri i Republikës së Kosovës. Ai ka shtuar se, megjithëse është punuar shumë, mbetet për të bërë akoma më shumë, ndërsa tani institucionet e reja do të vazhdojnë të bëjnë edhe më tepër në kuadër të agjendës për Kosovës evropiane. “Sot këtu nderojmë të kaluarën por gjithashtu marrim energji për të ardhmen”, është shprehur Thaçi. Homazhe te varret e Jasharëve kanë bërë edhe drejtuesit e Ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës së bashku me ushtarakët e lartë të FSK-së. “Shfrytëzoj rastin t’iu uroj të gjithë shqiptarëve festën e pavarësisë. Vendosem lule te varri i komandantit Adem Jashari, pikërisht në Ditën e Pavarësisë. Jemi të bindur se respekti për sakrificën e madhe të të gjithë atyre që u sakrifikuan për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, është një moment për t’i nderuar, respektuar dhe natyrisht për të marrë përgjegjësi të reja shtesë që Kosova dhe kombi ynë të prosperojë në drejtim të integrimeve euroatlantike”, ka thënë ministri në largim i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Fehmi Mujota. Ndërkaq, nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ahmet , që shoqërohej nga zyrtarë tjerë të lartë të AAK-së, pas homazheve, ka thënë se kjo ditë thërret që të jemi më të kujdesshëm, ta ndërtojmë vendin tonë, ta zhvillojmë atë, dhe po ashtu të krijojmë një të ardhme më të mirë për brezat që do të vijnë. “Sepse amaneti i atyre që kanë rënë, është që Kosova të jetë shteti në të cilin jetojnë njerëzit e lumtur. Disponimi i qytetarëve tregon se nuk kemi qenë të kujdesshëm, sepse në 3 vjetorin e shpalljes së pavarësisë nuk kemi institucione, e të cilat do të duhej të ishin funksionale, prandaj ky moment tregon kujdesin e pamjaftueshëm”, është shprehur Isufi. Në përvjetorin e tretë të Kosovës shtet të pavarur dhe sovran, qytetarë nga pjesë të ndryshme të Kosovës dhe me gjerë kanë bërë homazhe dhe kanë nderuar me një minutë heshtje Adem Jasharin, familjen e tij në Prekaz si dhe dëshmorët e Kosovës në Kompleksin Memorial në fshatin Marinë.
Skenderaj, 17 shkurt – Edhe Skenderaj ka kremtuar “17 Shkurtin – Ditën e Pavarësisë së Kosovës” me një sërë aktivitetesh përkujtimore, kulturo-argëtuese e sportive. Delegacioni i Komunës, i kryesuar nga kryetari Sami Lushtaku, ka nisur herët në mëngjes aktivitetet përkujtimore, me homazhe te busti i komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari në sheshin kryesor të qytetit të Skenderajt