Manifestimit qendror për nder të këtyre datave të rëndësishme, i kanë parapri homazhet dhe vendosja e luleve nga stafi mësimdhënës te busti i Hamëz Jasharit para objektit shkollor, te varri i tij dhe i komandantit legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari në Prekaz të Poshtëm. Drejtori i gjimnazit, Ramiz Thaçi, para të pranishmëve ka përkujtuar sakrificën e të rënëve në luftën e fundit të Kosovës, për lirinë e vendit, në mesin e të cilëve janë edhe 10 nxënës të Gjimnazit “Hamëz Jashari” në Skenderaj. Duke folur për historikun e kësaj shkolle, që nga themelimi, punën dhe përkushtimin e mësimdhënësve shqiptarë gjatë masave të dhunshme të Serbisë, si dhe kontributin e institucioneve të vendit pas lufte, ka përmendur disa personalitete që dolën nga bankat e kësaj shkolle, të cilët sot udhëheqin politikën shtetërore të Kosovës. “Nga bankat e kësaj shkolle dolën shumë personalitet të rëndësishme të jetës shoqërore, politike e ushtarake, siç janë heronjtë Adem e Hamëz Jashari, kryeministri Hashim Thaçi, Sami Lushtaku si dhe shumë personalitete të tjera”, ka thënë drejtori i gjimnazit, duke rikujtuar kohën e regjimit serb, gjatë së cilës, shumë mësimdhënës e nxënës u përjashtuan nga shkolla dhe u burgosen. Në shënim të këtyre përvjetorëve, nxënësit e shkollës kanë hapur ekspozitën me piktura dhe grafikë, si dhe kanë shfaqur një program artistik, me pika muzikore dhe recitale.
Skenderaj, 20 shkurt – Me aktivitete përkujtimore, kulturore e argëtuese është shënuar 61 vjetori i lindjes së dëshmorit të kombit, Hamëz Jashari dhe 41 vjetori i punës së gjimnazit, i cili me krenari mban emrin e dëshmorit…