Dita e parë e regjistrimit të anëtarëve të Komisionit Komunal për Regjistrim ka nisur në Prekaz të Poshtëm, me anëtarët e familjes Jashari, që kishin nderin të jenë të parët që plotësuan formularët zyrtarë të regjistrimit. Murat Jashari, përfaqësues i familjes Jashari, ka pritur në shtëpi anëtarët e komisionit, regjistruesit dhe kontrollorët e regjistrimit, të cilin e ka vlerësuar të rëndësishëm për vendin, kur dihet se regjistrim nuk ka pasur që nga viti 19981. “Procesi i regjistrimit është shumë i rëndësishëm kur dihet fakti se nga viti 1981, nuk ka pasur regjistrim të popullsisë dhe të ekonomive familjare. Mandej dihet se gjatë gjithë këtyre viteve e sidomos gjatë viteve të 90 dhe deri pasluftës, janë bërë shumë lëvizje të qytetarëve, qoftë në mërgatë apo edhe nëpër vende të ndryshme”, ka thënë Jashari, duke vlerësuar se regjistrimi është jetik, për siç ka thënë ai, për rifillimin e një jete të re, për rifillimin e një shteti të ri. Sipas tij, përfundimi i regjistrimit i popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave në Kosovë do të nxjerr pasqyrë reale se sa qytetarë dhe ekonomi familjare ka Republika e Kosovës. “Është e rëndësishme të dihet saktë se sa qytetarë dhe sa ekonomi familjare kemi, andaj uroj që ky proces i rëndësishëm të shkojë në mënyrën më të mirë të mundshme”, ka uruar në fund Murat Jashari.
Në anën tjetër, nënkryetari i Komunës, Fadil Nura, i cili është edhe kryesues i Komisionit Komunal për Regjistrim në Skenderaj, ka thënë se është nder dhe kënaqësi që procesi i regjistrimit në këtë komunë po fillon në familjen Jashari. “Në ditën e parë të regjistrimit anëtarë të Komisionit komunal për regjistrim, regjistrues e kontrollorë kanë nisur punën e tyre me familjen Jashari në Prekaz. Kemi nderin dhe kënaqësinë që procesin e regjistrimit në komunën tonë ta fillojmë në familjen Jashari, familje kjo e proceseve të mëdha kombëtare dhe shtetërore, pikënisje e kthesave dhe e të gjitha sukseseve të vendit tonë”, ka thënë Nura, sipas të cilit Komisioni Komunal për Regjistrim përbëhet nga 9 anëtarë, në kuadër të të cilit janë 26+2 kontrollorë dhe 136 regjistrues, po aq sa ka qarqe të regjistrimit. Ndërkaq, duke folur për dy fshatrat me popullatë të përzier, Bajë dhe Syriganë, kryesuesi i KKR-së ka thënë se janë kryer të gjitha përgatitjet e nevojshme, që procesi i regjistrimit të zhvillohet edhe në fshatrat në fjalë. “Në dy fshatrat ku jeton edhe pakica serbe, Syriganë e Bajë, janë kryer të gjitha përgatitjet, është shpërndarë materiali i nevojshëm dhe pritet që gjithçka të shkojë siç duhet”, ka shfaqur shpresë Fadil Nura, kryesues i Komisionit Komunal për Regjistrim. Regjistrimi i popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave në Kosovë, që organizohet nga institucionet vendore në bashkëpunim me EUROSTAT-in evropian, ka filluar më 1 prill dhe do të zgjas deri më 15 prill
Skenderaj, 1 prill – Edhe në Skenderaj, ashtu siç ishte paralajmëruar, ka filluar të premten, më 1 prill, procesi i shumëpritur i regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave në Kosovë, për herë të parë që prej vitit 1981.