Luan Kabashi, nga firma “Lin Projekt”, gjatë prezantimit në vije të holla të planit rregullues, ka thënë se ai është konceptuar në bazë të Planit Zhvillimor Komunal dhe shënon fazën e parë të planit, i quajtur ndryshe profili urban, që përfshinë gjendjen ekzistuese, analizën e saj, anketimin me qytetarë dhe temat që i ngërthen plani rregullativ (tematikat e komunikacionit, mjedisit, infrastrutkturës, levizjës së popullsisë, banimit, punës dhe komponentëve tjerë, të sistematizuara në dokumentin e planit rregullativ). Sipas Kabashit, anketimi i qytetarëve është pjesë e metodologjisë së punës për hartimin e një plani, e cila aplikohet në gjithë botën. “Që një plan të rezultojë i suksesshëm dhe lehtë i zbatueshëm në praktikë neve konsiderojmë të nevojshme zhvillimin e anketimit. Në sistemin e kaluar janë bërë plane, mirëpo qasja e projektuesve në terren ka qenë e gabueshme, ndaj kjo qasje është më e re dhe është bashkëkohore, do të thotë metodologjia e punës bazohet në formimin e disa pyetjeve lidhur me ekonomitë familjare, banesat, moshën e popullsisë, etj dhe të gjitha këto shërbejnë për planifikim hapësinor”, ka thënë përfaqësuesi i fimrës “Lin Projekt”, duke shtuar se, pas fazës së parë të planit, që ka të bëjë më analizën e gjendjes ekzistuese, pason hapi tjetër ai i vizionit në harmoni me planin zhvillimor urban të Skenderajt. Sipas planifikimit urban, sheshi aktual “Adem Jashari” do të jetë i zgjeruar nga skaji i Shkollës Fillore “Shaban Jashari” deri te ndërtesa e re e Kuvendit Komunal, me një unazë të brendshme rrugore, ndërkaq vetëm zona urbane është planifikuar të jetë 252 hektarë. Në të janë përfshirë, nënkalimet, mbikalimet në vende të caktuara, hapësirat e gjelbëruara dhe elemente të tjera urbane, kurse shiriti rrugor në lagjen III, përkatësisht magjistralja Drenas-Mitrovicë parashihet të jetë e gjerë 27 metra, duke përfshirë shtigjet qarkullues për biçikleta dhe këmbësor, etj. Gjatë debatit, në të cilin kanë marrë pjesë njohës të çështjeve urbanistike, shoqëria civile, OJQ, zyrtarë komunalë, etj, Sami Lushtaku, kryetar i Skenderajt, ka pyetur hartuesit e planit rregullues nëse mund të zgjerohet shiriti qarkullues për automjete në rrugën “Azem Bejta. Edhe Ylber Morina nga Këshilli Komunal i Ekspertëve për hartimin e planit, ishte skeptik sa i përket realizimit të kësaj rruge sipas planit, pasi sipas tij, me 27 metra gjerësi të rrugës, pengohet zhvillimi i afarizmit në lagjen III të qytetit, duke qenë se në këtë lagje është një numër i madh i bizneseve. Por Luan Kabashi nga firma “Lin Projekt” dhe ekipi tij, kanë siguruar se, zgjerimi i rrugës në fjalë nuk paraqet problem, sikurse që nuk pengojnë objektet që ndodhen në këtë lagje. Ndërkaq, Ibrahim Hetemi, koordinator i Handikos-it, ka pyetur se a janë paraparë në plan shtigjet dhe qasshmëria e lehtë për personat me aftësi të kufizuar. Ai ka mbetur i kënaqur me përgjigjen pozitive të përfaqësuesve të firmës projektuese, të cilët kanë sqaruar gjithashtu se janë paraparë edhe nënkalime në vende të caktuara dhe hapësira për parkimin e automjeteve brenda zonës urbane. Sipas tyre, në udhëkryqe brenda zonës urbane qarkullimi i komunikacionit rregullohet me sinjalizim ndriçues (semaforë), kurse unaza e brendshme, e cila do të ketë shirita ndihmës rrugor për hyrje dhe dalje lejon qarkullimin edhe të automjeteve të rënda për ngarkim dhe shkarkim. Përfaqësuesit e firmës projektuese kanë siguruar se të gjitha vërejtjet dhe sugjerime e pjesëmarrësve në debat do të merren parasysh dhe do të analizohen në hollësi, të cilat më pastaj do të inkorporohen në planifikimet e mëvonshme. Pjesëmarrësit ndërkaq janë shprehur të kënaqur me punën e përfaqësuesve të firmës projektuese për punën e bërë në hartimin e dokumentit për planin rregullativ urban të Skenderajt. Në anën tjetër, Ljubo Zekiq, zyrtar për të Drejtat e Njeriut-Sektori i Pronës pran OSBE-së në Mitrovicë, ka folur për vendbanimet joformale, të cilat siç tha, karakterizohen me mungesë të infrastrukturës bazë dhe shërbimeve komunale, si furnizimi i rregullt me energji elektrike, ujë të pastër, rrugë dhe kanalizime, qasje në shërbime shëndetësore, arsimore dhe punësim. “Misioni përmes konsultimeve me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor si dhe Habitatin, në vazhdimësi mbështet aktivitetet që ndërlidhen me planifikimin urban duke synuar në parandalimin e krijimeve të vendbanimeve joformale në të ardhmen dhe rregullimin e atyre ekzistuese. Skenderaj 20 prill – Firma projektuese “Lin projekt” nga Prishtina ka prezantuar Planin Rregullues Urban të Skenderajt dhe të Bashkësisë Lokale të Runikut, në një diskutim publik, të organizuar nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian (OSBE) në bashkëpunim me Drejtorinë për Urbanizëm dhe Mbrojtje të Ambientit për Komunën e Skenderajt.