Pas 18 orësh heroizmi e sakrifice, Tahir Mehaj vritet nga plumbat e helikopterit
Shkrimtari nga Drenica, Bedri Tahiri, i cili në repertorin e tij bibliotekar ka shumë libra për luftërat e shumë trimave të Drenicës, ka kujtuar 13 majin e vitit 1981, ditën kur u vra Tahir Meha. “Më 13 maj të vitit 1981, në një mot me shi, në kullën dykatëshe babë e birë po kuvendonin qetas pa e ditur se hijenat tinëzare natën pa hënë, kishin vënë kurthe e leqe. Krisën pushkët e para nga kati i parë ku ishte baba Nebihu dhe fëmijët, ndërsa nga katin e dytë Tahiri, trimi sypatrembur. Në të errur, një tank zinxhiror u sul drejt kullës së paepur, e cila zu të shembej. Salën tremuajshe në djep e shpëtoi trari gjysmë i djegur, ndërsa vajza tjetër Mihrija, lidhte plagën vetë. Babë Nebihun e kishte marrë përjetësia. Pas 18 orësh heroizmi e qëndrese, dragoi fluturoi mbi tank dhe çau rrethin e parë. Kur po i afrohej malit, reflektori i helikopterit e zbuloi, i cili e lëshoi një breshëri plumbash, që qëlluan Tahirin, për të mos vdekur kurrë…”, është shprehur Tahiri. Për luftën e trimit, ka folur edhe kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, i cili ka thënë se gjaku i derdhur në themelet e kullës së Tahirit, ishte mesazh i radhës që babë e birë i dhanë Kosovës dhe gjithë kombit shqiptar, se kjo tokë duhet të mbrohet më çdo kusht dhe me çdo çmim. “Kjo qëndresë u bë frymëzim për shumë trima, për betimin e bacë Shabanin, Adem e Hamëz Jasharin, që më vonë, më kalimin e kohës u mobilizuan në formimin e UCK-së, në rezistencën gjithë popullore me sakrifica të shumta, që u kurorëzuan me liri dhe pavarësi. Dita e 13 majit të vitit 1981 do të mbahet në mend si një ditë e rrallë e historisë kombëtare ku u mbrojt nderi i pragut dhe dinjiteti kombëtar”, ka thënë Lushtaku.
Ndërkaq, veprimtari i shquar i çështjes shqiptare, Adem Demaçi, ka thënë se takimet e këtilla kanë rëndësi të madhe për t’ia bërë më dije rinisë sonë që nuk i mban mend këto ngjarje. “Duhet ta dijë se në çfarë furtunash e gjakderdhjes ka kaluar populli ynë, i cili nuk është përkulur asnjëherë. Ngjarja e 13 majit të 81-shit ka rëndësi historike, sepse ishte një paralajmërim që shqiptarët dhe Drenica nuk e harruan kryengritjen e lavdishme as të Azem Galicës e as të Shaban Polluzhës e as të gjitha ato organizata ilegale. Atëbotë ende kishte dyshime nga shumë njerëz të ditur e të paditur së nuk mund të luftohet e të fitohet kundër Serbisë. Mirëpo heroizmi në lagjen Mehaj, këtu në zemrën e Drenicës tregoi së megjithatë ka shqiptarë që luftojnë e të fitojnë kundër Serbisë”, ka thënë ai, duke bërë thirrje të punohet më shumë për të mirën e vendit.
Në emër të shoqatave të dala nga lufta e UCK-së, foli nënkryetari i OVL-së Smajl Elezi, kurse në emër të familjes Mehaj, të pranishmit i ka përshëndetur dhe falënderuar për pjesëmarrje Ilir Mehaj. Në fund të tubimit, presidentja Jahjaga së bashku me kryetarin Lushtaku kanë bërë homazhe te varri i Tahir e Nebih Mehës në Prekaz.
Prekaz, Skenderaj, 13 maj –Me rastin e 30-vjetorit të rënies heroike të Tahir Mehës dhe babait të tij, Nebihut, sot sot në Prekaz u bë një tubim popullor, i organizuar nga Komuna e Skenderajt, Shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së dhe Shoqata e të Burgosurve Politikë.