Drejtori për Financa, Ekonomi e Zhvillim Ismet Aliu, ka thënë se, me gjithë vështirësitë që kanë hasur, janë duke u realizuar objektivat që ka pasur Komuna e Skenderajt, sa i takon grumbullimit të mjeteve nga TP-ja. “Ne mendojmë se jemi duke i realizuar objektivat tona sa i përket grumbullimit të mjeteve nga Tatimi në Pronë, me gjithë vështirësitë që kemi hasur, për arsye se janë krijuar borxhet nga vitet e mëparshme, të cilat kanë arritur në një shkallë të lartë. Nëse bëjmë krahasimin e katër muajve të parë të këtij viti me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, vërehet një ngritje e shkallës së grumbullimit të mjeteve nga TP-ja. Vetëm në këta katër muaj kemi mbledhur 38 mijë e 780 euro, ndërsa në periudhën e njëjtë të vitit paraprak shuma e grumbulluar ka qenë vetëm 16 mijë euro, që do të thotë se ngritja është mbi 140 për qind”, ka thënë drejtori Aliu. Në këtë kontekst, ai ka përmendur aktivitetet sensibilizuese me qëllim që të njoftohen taksapaguesit për rëndësinë e kryerjes së obligimeve ndaj Komunës. Megjithëkëtë, drejtori ka thënë se ka pas dhe azhuritet më të madh nga ana e stafit rreth grumbullimit të borxheve. “Kemi zhvilluar aktivitete të ndryshme sensibilizuese, me qëllim që t’i njoftojmë taksapaguesit për rëndësinë e grumbullimit të mjeteve nga tatimi, si dhe ka pas një azhuritet më të madh nga stafi ynë në grumbullimin e mjeteve. Rezultat ka dhënë edhe kushtëzimi me shërbime komunale për qytetarë. Në fund të fundit, kemi qenë të detyruar të përdorim edhe masa ndëshkuese, sepse obligimet ndaj Komunës duhet të kryhen”, ka theksuar Aliu, duke shtuar se kanë edhe mbështetje ligjore që të ndërmarrin masa ndëshkuese ndaj atyre që nuk iu përgjigjen pagesave të Tatimit në Pronë, siç janë bllokimi i xhirollogarive bankare, konfiskimi i gjësendeve luksoze shtëpiake, etj, megjithëse, siç shprehet drejtori, konfiskimin nuk e kanë aplikuar deri më sot. Drejtori i Drejtorisë për Ekonomi, Financa dhe Zhvillim në Skenderaj, Ismet Aliu shpreson se, nëse vazhdohet me këtë ritëm të grumbullimit të mjeteve nga Tatimi në Pronë deri në fund të vitit, arrihen objektivat e realizimit të planit vjetor. “Nëse vazhdohet me këtë ritëm të grumbullimit të mjeteve nga Tatimi në Pronë deri në fund të vitit, faktikisht ne ia arrijmë objektivat e realizimit të planit për këtë vit. Sigurisht që shpresojmë se do të grumbullohet edhe një pjesë nga obligimet e viteve të kaluara”.
Skenderaj, 19 maj – Komuna e Skenderajt, përkatësisht Drejtoria për Financa Ekonomi dhe Zhvillim, ka realizuar pritjet sa i përket arkëtimit të mjeteve nga Tatimi në Pronë (TP) për periudhën katër-mujore të vitit 2011.