Jonuz Syla, një fermer nga fshati Tërnafc i Komunës së Skenderajt, nga viti 2004 ka filluar të merret me kultivimin e fidanëve të perimeve dhe me kultivimin e dredhëzave. Kur ka nisur të merrej me këtë veprimtari, ai kishte pasur një sipërfaqe tokësore prej vetëm 10 ari të mbjell me dredhëza, ndërkohë, me zhvillimin e këtij biznesi familjar, Syla sot ka 1 hektar, nga kultivimi i perimeve të imëta të ardhurat mujore janë mesatarisht 2700 euro. “Tash sipërfaqja e mbjellë me dredhëz është një hektar, falë një donacioni që kam përfituar nga Iniciativa për Zhvillimin e Bujqësisë të Kosovës (IADK), e cila organizatë fillimisht me ka ndihmuar me një sipërfaqe prej 10 ari, kështu që unë me mundësi të mia, jam zhvilluar në këtë veprimtari dhe kam arritur të rris sipërfaqen në 1 hektar. Unë jam i kënaqur me të ardhurat që siguroj nga kjo veprimtari. Është një biznes familjar dhe përveç anëtarëve që e punojmë, unë kam 6 punëtorë të rregullt të punësuar në kultivimin e dredhëzës dhe 20 punëtorë sezonal. Mesatarisht 2700 euro i siguroj të ardhura mujore nga kultivimi i dredhëzave dhe kultivimi i fidanëve të perimeve të tjera të imëta”, është shprehur Syla të enjten në një organizim me rastin e.
Vitin e ardhshëm buxheti i MBPZhR-së do të ketë rritje të konsiderueshme
Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZhR), që po merrte pjesë në “Ditën e Dredhëzës”, ka thënë se dredhëza është një nga produktet me të cilën mburremi, sepse për herë të parë po i mbulon kërkesat e tregut vendor. Të gjitha këto, na kanë shtyrë që sektorin e pemëve të imta: kulturën e dredhëzës, mjedrën dhe manaferrën, t’i fusim në kuadër të programeve për mbështetje financiare. Kjo mbështetje do të vazhdojë edhe më shumë në të ardhmen dhe natyrisht nuk do të jetë e vetmja masë për t’i përkrahur kultivuesit, sepse ne jemi duke punuar edhe në dy drejtime shumë të rëndësishme; njëra lidhet me përmirësimin e politikave fiskale dhe tjetra lidhet me politikat kreditore, në mënyrë që kultivuesit të kenë qasje më të lehtë në kredi”, ka thënë ministri Stavileci. Ai ka përmendur edhe politikat tjera mbështetëse për fermerët e Kosovës, prodhimet e të cilëve po dëmtohen nga fatkeqësitë natyrore. “Njëra nga masat tjera që ne do t’i përkrahim e që është pjesë e problemeve të kultivuesve, janë fatkeqësitë natyrore, sidomos breshëri, që në masë të madhe kë dëmtuar kultivuesit. Ne po ashtu besojmë se që nga viti i ardhshëm do të kemi një masë të veçantë për t’iu stimuluar, për të pasur grande, në mënyrë që të keni modele për mbrojtje kundër fatkeqësive natyrore. Ne, për herë të parë do të bëjmë një kthesë të madhe për sektorin e bujqësisë, jo vetëm për sektorin e pemëve të imta, por edhe për sektorë të tjerë, i cili do të jetë një prej prioriteteve kryesore të qeverisë, me të cilin krijohen vende të reja pune si dhe do të zvogëlohet importi, që kemi qenë të varur gjatë gjithë këtyre viteve”, është shprehur ministri. Ai ka thënë se, që nga viti i ardhshëm në periudhën afatmesme dhe afatgjate, buxheti i ministrisë, i cili do të jetë në shërbim të fermerëve, do të ketë rritje të konsiderueshme, dhe në bashkëveprim me organizatat e ndryshme, do të bëjnë që fermerët të krenohen me profesionin e tyre, ndërsa institucionet shtetërore do të mburren me bujqësinë, si njërën nga shtyllat kryesore të zhvillimit ekonomik në të ardhmen. “Pavarësisht sfidave dhe vështirësive që keni, ne si qeveri dhe si ministri ju inkurajojmë që vazhdimisht të punoni në mënyrë që ngrisin nivelin e prodhimtarisë sonë, me mbështetjen dhe ndihmën tonë”, ka thënë në Skenderaj ministri Blerand Stavileci. Ndërkaq nënkryetari i Komunës së Skenderajt, ka thënë se kultivimi i dredhëzës është pjesë suksesi, sepse kultivuesit e dredhëzës këtë veprimtari e kanë filluar nga zeroja, në formën tradicionale me varietete të vjetra dhe sipërfaqe të vogla, ndërsa sot nevojat e tregut të Kosovës mbulohen 100 % me dredhëz vendore. “:etëm në Skenderaj nga viti 2008 kemi dyfishuar sipërfaqet dhe kultivuesit e dredhëzës, pra kemi të dhëna premtuese, gjithmonë duke i falënderuar MBPZhR-në, IADK-në dhe organizatat tjera donatorë që ndihmuan këtë fushë. Megjithëkëtë, fermerët vazhdojnë të kenë sfida, sic janë konkurrenca jolojale e tregut në raport me prodhuesit e huaj, nevoja për përmirësimin e politikave fiskale, krijimi i kushteve për përmirësimin e teknologjisë së re për prodhimtarinë bujqësore, si dhe përmirësimin e politikave kredituese për të krijuar kushte më të favorshme për investimet në bujqësi”, ka thënë Nura. Ai ka premtuar se Komuna e Skenderaj do të vazhdojë t’i mbështesë dhe t’i ndihmojë kultivuesit e dredhëzës, në mënyrë që ky produkt t’i kalojë kufijtë tanë dhe ta plasohet në tregjet ndërkombëtare me mbishkrimin “Republika e Kosovës”.
Kultivuesit e dredhëzave, heronj të gjallë
Zenel Bunjaku, drejtor ekzekutiv i Iniciativës për Zhvillimin e Bujqësisë të Kosovës, kultivuesit e dredhëzës i ka quajtur heronj. “Kultivimi i dredhëzës është një tregim i suksesshëm për ne si IADK. Edhe pse në buxhetin e tërësishëm që kishim, 10 % kemi i destinuar për prodhimtarinë e dredhëzës, mirëpo ne me këtë veprimtari kemi filluar nga viti 2003, atë vit kur prodhuesit tanë nuk kanë pasur njohuri, kur prodhuesit tanë nuk kanë pasur mundësi t’i sigurojnë imputet bujqësore për kultivimin e dredhëzës. Fal guximit të fermerëve, të cilët aso kohe kanë qenë të numëruar në gishta, ne kemi arritur shkallen e nivelit 0 në vitin 2003 të importit të dredhëzës nga vendet tjera, do të thotë për mua të gjithë fermerët janë heronj”, është shprehur Bunjaku nga IADK-ja, i cili ka shfaqur besimin se do të vazhdohet me këtë ritëm zhvillimi i këtij sektori të bujqësisë. “Vet prania e ministrit Stavileci në këtë ngjarje tregon se ju do të keni përkrahje edhe në aspekte të tjera në prodhimtarinë e dredhëzës, jo vetëm në subvencione. Secili prej fermerëve tanë që ka përfituar nga projektet bujqësore, sot ka dyfishuar sipërfaqet me dredhëz. Vetëm në rajonin e Mitrovicës kemi 63 fermerë, të cilët prodhojnë 365 tonë dredhëz në një vit”, ka thënë Zenel Bunjaku. Pas fjalimeve, ministri i Bujqësisë, kryetari i Skenderajt Sami Lushtaku dhe të tjerët kanë pasur rastin t’i shijojnë dredhëzat e ekspozuara në oborrin e Shtëpisë së Kulturës “Hasan Prishtina” në Skenderaj nga kultivuesit e rajonit të Mitrovicës.
Skenderaj, 16 qershor – Në “Ditën e Dredhëzës” në Skenderaj, të cilën e kanë organizuar Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural të Republikës së Kosovës, Komuna e Skenderajt, përkatësisht Drejtoria për Bujqësi dhe Iniciativa për Zhvillimin e Bujqësisë të Kosovës (IADK), dhjetëra kultivues të dredhëzave kanë ekspozuar produktet e tyre në këtë aktivitet me karakter nacional.