Nikoqiri duke gostitur mysafirët me pije të freskëta, ka thënë se është i lumtur me fillimin e ndërtimit të shtëpisë së re, meqë objekti në të cilin ka banuar nuk ka plotësuar as kushtet minimale të banimit. “Sot po fillon ndërtimi i shtëpisë së re, për të cilën jam kanë në hall. Kam banuar në një shtëpi shumë të vjetër dhe që ka rrezikuar tërë familjen nga shembja. E tërë familja ka qenë e frikësuar në atë shtëpi”, është shprehur kryefamiljari i 7 anëtarëve. Ai ka falënderuar përfaqësuesit e kompanisë në fjalë si dhe kryetarin e Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, i cili gjatë fushatës parazgjedhore i kishte premtuar shtëpi të re. Ilir Zaiti, përfaqësues i Kompanisë së Sigurimeve “Illyria”, ka thënë se edhe në të kaluarën kompania në fjalë, si pjesë e Kompanisë “Sava Re Group” ka marrë pjesë në aktivitete të tilla humanitare, duke ua lehtësuar jetën njerëzve me kushte të vështira banimi. “Me propozimin e kryetarit Lushtaku, ne kemi vendosur t’ia ndërtojmë një shtëpi familjes Sahiti, e cila ka pasur shumë nevojë. Besoj që shembulli ynë do të jetë shembull edhe për të tjerët, që t’u ndihmojnë njerëzve që kanë nevojë për strehim. Natyrisht që jemi të kënaqur që sado pak të kontribuojmë në përmirësimin e jetesës në Kosovë”, ka thënë mes tjerash Ilir Zaiti, përfaqësues i Kompanisë së Sigurimeve “Illyria”. Ndërkaq, kryetari Lushtaku, të cilit i atribuohet kontributi për ndërtimin e shtëpisë së re të 60 vjeçit, ka thënë se nuk është hera e parë që po ndërtohet një shtëpi, pasi, siç tha ai, janë ndërtuar rreth 40 të tjera, nëpërmjet donatorëve të ndryshëm dhe njerëzve të vullnetit të mirë. “Ne i dimë kush janë ato familje që janë në gjendje të rëndë ekonomike dhe që kanë problem çështjen e banimit. Gjatë fushatës parazgjedhore unë kam dhënë një premtim, ka qenë kërkesë e të gjithë banorëve të fshatit Kopiliq të Poshtëm që Muhamet Sahitit t’i ndërtohet shtëpi e re, të cilën po e fillojmë falë Kompanisë së Sigurimeve “Illyria””, është shprehur kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, pas ceremonisë së vënies së gurthemelit për ndërtimin e shtëpisë 5 dhomëshe të Muhamet Sahitit. Ky i fundit ka thënë se gëzon asistencë sociale në vlerë prej 80 eurove. Në vënien e gurthemelit kanë marrë pjesë përfaqësues të Kompanisë së Sigurimeve “Illyria”, kryetari i PDK-së Ramadan Gashi, deputetet në Parlamentin e Kosovës, Valbona Dibra e Ganimete Musliu, përfaqësues të strukturave komunale dhe banorët e fshatit.
Skenderaj, 13 shtator – Familja e Muhamet Sahitit nga fshati Kopiliq i Poshtëm të Komunës së Skenderajt, të martën kishte arsye të ishte e gëzuar, pasi i është vënë gurthemeli për ndërtimin e shtëpisë së re, falë Kompanisë së Sigurimeve “Illyria”, e cila ka investuar rreth 20 mijë euro.